Site icon Telegrafi

Vjedhja e 2.1 milionëve në Thesarin e Shtetit, Prokuroria: Janë bllokuar rreth 600 mijë euro, dhe janë sekuestruar 4 automjete

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës  ka dhënë detaje të reja lidhur me rastin “THESARI”.

Sipas njoftimit nga Prokuroria, deri më tani lidhur me këtë rast janë arrestuar dy (2) persona të cilët gjenden në paraburgim për veprat penale “ Keqpërdorim i detyrës zyrtare dhe autorizimit” nga neni 414 paragrafi 2 dhe 3 pika 3.4 në lidhje me paragrafin 1 të KPRK-ës dhe “Shpëlarja e parave” nga neni 302 të KPRK-së, lidhur me veprën penale “Pastrimi i parave” nga neni 56 i Ligjit nr. 05/L-096 për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit.

“Prokuroria Speciale njofton opinionin publik se janë duke vijuar veprimet hetimore shumë dimensionale, duke përfshirë edhe institucionet dhe njësitë si: Njësia e Inteligjencës Financiare (NJIF), Policia e Kosovës-Departamenti për Hetimin e Korrupsionit, Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), etj.

Deri më tani janë intervistuar bartës të llogarive në të cilat janë transferuar të hollat, është bërë intervistimi i dëshmitarëve, analizimi i dokumentacionit, hetimi financiar dhe identifikimi i pronave. Gjithashtu, ju njoftojmë se janë ngrirë 34 llogari bankare, të bizneseve në të cilat janë transferuar të hollat nga i pandehuri K.Sh, pronar i (LDA Group Sh.p,k). Vlen të theksohet se deri më tani shuma e përgjithshme e ngrirë është rreth 600,000 euro, janë sekuestruar 4 automjete vlera e përafërt e të cilave është 100,000 euro”, thuhet në njoftimin për media.

Prokuroria ka theksuar se në proces të realizmit të kthimit të të hollave të cilat janë tërhequr nga bankat komerciale në emër të realizmit të mbitërheqjeve, kredive etj, e të cilat kanë gjeneruar nga transferi i paligjshëm i realizuar nga ana e të pandehurve nga Thesari i Shtetit.

Prokuroria Speciale njofton se në kuadër të bashkëpunimit juridik ndërkombëtar, kemi bërë dy (2) kërkesa adresuar autoriteteve të Republikës së Turqisë, lidhur me transferin prej 440.000 euro, të realizuara nga llogaria e LDA Group Sh.p,k, në pronësi të të pandehurit K.Sh, në llogarinë e një biznesi me seli në Republikën e Turqisë. Është kërkuar ngrirja e llogarisë së identifikuar, është bërë identifikimi i bartësit/pronarit të llogarisë, personat e autorizuar, janë shikuar pasqyrat e transaksioneve. /Telegrafi/

Exit mobile version