Policia austriake është vënë në kërkim të tre personave të dyshuar për vjedhjen e një pikture të autorit të famshëm francez, Renuar. (Pierre-Auguste Renoir).
Peizazhi jo shumë i njohur i Renuarit, por që vlen 160 mijë euro, është prerë nga korniza para se të nxirrej për shitje.
“Gjithçka ka ndodhur shumë shpejt”, tha zëdhënësi i policisë së Vjenës për gazetarët e CNN.
“Mendojmë se të dyshuarit janë profesionistë. E kanë prerë pikturën nga korniza dhe kanë dalë menjëherë jashtë. Ishin shumë të koordinuar.”
Vepra e vitit 1895, edhe pse nuk është nga më të famshmet e piktorit francez, është mjaft e njohur dhe do të jetë e vështirë të shitet.
Kjo nuk është hera e parë që veprat e Renuarit bëhen pre e grabitësve. Një tjetër pikturë, me vlerë 1 milionë dollarë, është në listën e FBI për 10 krimet më të rënda në botën e artit. /tch/