Njëri nga katër plaçkitësit që ia kishte mësyrë bankës, pas hyrjes në objekt ka shtënë me armë zjarri në ajër. Me gjithë të shtënat e zjarrit, nuk ka pasur të lënduar nga ana e punonjësve të bankës apo të klientëve të saj, derisa njësitë e Policisë së Kosovës kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ndonëse plaçkitësit kishin ikur në drejtim të panjohur.
Dëshmitarët okularë, të cilët kanë dashur të mbesin anonimë, i kanë thënë KTV-së se personat kanë ecur në këmbë deri te filiali i bankës. Sipas tyre, plaçkitja ka ndodhur përreth 2 minuta dhe më pastaj katër personat janë larguar po në këmbë.
Ndërsa ProCredit Bank u ka bërë thirrje klientëve të saj që të mos jenë të shqetësuar. “ProCredit Bank siguron klientët e saj që nuk ka vend për panik, pasi që të gjitha mjetet e bankës janë të siguruara plotësisht bazuar në rregullat në fuqi në Kosovë”, thuhet në komunikatën e ProCredit Bankës.
Pak javë më parë edhe një filial i ProCredit Bankës në Maqedoni ishte plaçkitur me armë zjarri në mes të ditës. Operacionet policore ishin zhvilluar edhe në Maqedoni e Kosovë, ngase dyshohej se grupi i plaçkitësve fshihej në territorin e Kosovës. /ktv/