Qytetarët që shfrytëzojnë pishinën e Gërmisë në Prishtinë për t’u freskuar, gjatë ditëve të vikendit paguajnë biletë për 50 përqind më të shtrenjtë sesa gjatë ditëve të tjera të javës.
Kjo biletë gjatë ditëve të tjera të javës, për të rritur, është dy euro, ndërsa gjatë ditëve të vikendit tre euro, gjë që për vizitorët e pishinës është e pakuptimtë dhe e papramueshme.
Qytetari Granit Krasniqi, në një prononcim për Telegrafin ka thënë se një çmim i tillë gjatë vikendeve është i papranueshëm, duke pasur parasysh edhe shërbimet që ofron kjo pishinë.
Sipas tij, rritja e çmimit mund të ndikojë edhe në numrin e qytetarëve që e vizitojnë pishinën e Gërmisë.
“Është e pa pranueshme që çmimi për hyrje të jetë më i lartë në vikend kur e dimë gjendjen ekonomike të qytetarëve në vendin tonë. Kurrgjë nuk dallojnë kushtet në vikend me ditët e tjera. Po shihet se drejtuesit e pishinës mundohen që të fitojnë sa më shumë në vikend”, ka thënë Krasniqi.
Ndërsa, Nexhat Uka, kryeshef ekzekutiv në NPL “Sport Marketing”, në një prononcim për Telegrafin tha se vendimi për ngritje e çmimit gjatë vikendeve është marr nga bordi i ndërmarrjes.
Uka tha se ky vendim është marr me arsyen se janë bërë disa investime në pishinë si dhe kjo ndërmarrje qëndron keq me financa.
“Kështu kemi marr vendim që gjatë vikendit të jetë tre euro. Ky vendim është marrë para fillimit të sezonës, me bordin e ndërmarrjes dhe në bashkëpunim me komunën e Prishtinës. Ndërmarrja është keq me financa, dhe kemi bërë disa investime”, ka thënë Uka.
Ai po ashtu theksoi se çmimi i biletës për të hyrë në pishinë është për vikend është ngritur në tre euro vetëm për të rriturit, ndërsa për fëmijë është i njëjtë.
Ndryshe, pishina e Gërmisë për çdo vit hapet për vizitorët në fillim të muajit qershor, kur edhe fillon sezoni veror. /Telegrafi/