Telegrafi

Vizitoi dy herë spitalin, kryeministri japonez po e fsheh gjendjen e tij shëndetësore

Kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe, do të këshillohet me mjekët përpara se të informojë publikun e këtij vendi për gjendjen shëndetësore në një konferencë për shtyp.

Publiku japonez është i shqetësuar për shëndetin e Abes pasi ai vizitoi një spital në Tokio, dy herë në dy javë për ekzaminime mjekësore.

Konsultimet me mjekët mund të nënkuptojnë një vizitë tjetër në spital, ose ato mund të bëhen me telefon, thanë burime të informuara mirë për reuters.

Sipas mediave lokale, 65-vjeçari gjithashtu pritet të flasë në një konferencë për shtyp për mënyrën se si qeveria japoneze ka menaxhuar pandeminë e coronavirusit deri më tani, transmeton Telegrafi.

Një nga vizitat e fundit të të parit të qeverisë japoneze në spital zgjati shtatë orë e gjysmë, por kryeministri nuk zbuloi asnjë detaj, duke thënë se dëshironte të kujdesej për shëndetin e tij, por edhe të jepte më të mirën në funksionin e tij.

Duke kërkuar të shuaj thashethemet në lidhje me shëndetin e kryeministrit, një nga bashkëpunëtorët e tij të ngushtë politikë i tha reuters se ai gëzon shëndet më të mirë tani sesa në mes të muajit gusht.

Ndryshe, agjencia kujton se japonezi kishte probleme me kolit ulcerativ në të kaluarën. /Telegrafi/