Ja ku kemi për shembull presidentin turk, Erdogan. Sa më shumë kohë është në pushtet, aq më i zemëruar e poterexhi bëhet, ai krahason Republikën Federale me Gjermaninë nacionalsocialiste. Merkel i hedh poshtë këto shkarje gjuhësore, sikur po i sqaron një klase se pse siguresa në bodrum nganjëherë digjen. Ajo nuk lejon të provokohet, kur kreu i partisë qeverisës polake, PiS, Jaroslaw Kaczynski paralajmëron nga një “diktat gjerman”. Ajo nuk lëviz as cepin e buzës, kur presidenti Putin, sanksionet e perëndimit i quan si të padrejta. “Ai jeton në botën e vet”, është konkluzioni i saj.
Tani Donald Trump. Çfarë nuk ka thënë ai muajt e fundit. Merkel do të shkatërrojë Gjermaninë. Trump paralajmëroi madje nga kryengritje në lumin Rin dhe Oder. Miqtë e tij janë kaq të shokuar nga politika e Merkelit për refugjatët, saqë do ta braktisin Gjermaninë. Por, zonja Merkel di të veprojë edhe me këto deklarata. Ajo është e gëzuar për takimin personal, u tha thatë. Kritika e Trumpit nuk zë vend. Para vizitës ajo i ka ulur aq pritshmëritë, saqë shumë vetë e shohin si sukses, thjesht dhënien e duarve.
Kancelarja mbetet faktike para vizitës. Shumë gjëra janë vënë në kandar: Një luftë tregtare mes SHBA-ve e BE-së do të rëndonte ekonominë botërore. Dobësimi i NATO-s e izolacionizmi amerikan do të sillnin fundin e rendit botëror të tanishëm me pasoja të paditura. Largimi i SHBA nga Marrëveshja e Klimës do të thotë vdekje dhe uri në Afrikë. Dorëzimi i vlerave të përbashkëta do të varroste besueshmërinë e Perëndimit: Trump ndoshta mund të dojë shpërbërjen e BE-së, por Angela Merkel do ta mbrojë edhe më fort projektin evropian. Forca e saj: ende shumë vetë e nënvlerësojnë atë.
Ta bëjmë botën më të mirë – si e formulojnë amerikanët në formë patetike – këtë e do edhe kancelarja. Por, ajo nuk i do daljet pompoze, nuk i do ekzagjerimet, nuk stilizohet si anti-Trump. Ajo integron, nuk përjashton. Merkel është liderja e pamohueshme e Evropës, sepse ajo as nuk e pretendon këtë lidership. Mania delirante është e huaj për të. Asaj nuk i shpëton asnjë fjalë e pamenduar.
Në takimin mes të dy politikanëve, vëzhguesit do të përqendrohen tek Trumpi. Do të thotë ai ndonjë gjë të pamenduar? A mund të negociojë ai pa kërcënuar. Do të prezantojë me dinjitet SHBA-të? Madje edhe sikur Trump të lëshojë ndonjë proçkë, Merkel do të bëjë sikur nuk e ka regjistruar.
Sepse, Donald Trumpi nuk është politikani i parë më i vështirë për të.