Në kryeqendrën shqiptare Tiranë, krerët më të lartë të shtetit dhe përfaqësues politik të pozitës dhe opozitës i dhanë mbështetjen kandidatit të parë shqiptar nga Italia për deputet në Parlamentin Evropian, Muharrem Salihu – Marco.
Vizita e Muharrem Salihut në Tiranë nuk ishte vetëm një ngjarje politike, por edhe një moment i veçantë krenarie për gjithë shqiptarët. Kjo vizitë përfaqëson një hap të rëndësishëm në rrugën e gjatë të Salihut për t’u zgjedhur deputeti i parë shqiptar nga Italia në Parlamentin e BE-së. Ky takim simbolizon përkushtimin dhe unitetin e kombit shqiptar në përpjekjet për të forcuar rolin e tij në politikën evropiane.
Vizitën në Tiranë, Salihu e filloi me takimin me Presidentin e Shqipërisë, z. Bajram Begaj.
Dy palët diskutuan mbi rolin dhe rëndësinë e diasporës shqiptare në Evropë dhe mundësitë që sjell përfaqësimi në Parlamentin Evropian. Presidenti shprehu mbështetjen e tij të plotë për kandidaturën e Salihut, duke theksuar rëndësinë historike të kësaj përpjekjeje për të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen.
Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla në takimin me Salihun, vlerësoi përkushtimin dhe vizionin e tij për të përfaqësuar komunitetin shqiptar në Itali dhe në Evropë. Ajo theksoi se ky hap është një mundësi e shkëlqyer për të ngritur zërin e shqiptarëve në arenën ndërkombëtare dhe për të kontribuar në politikën evropiane.
Takime tjera të rëndësishme, Salihu zhvilloi edhe me zëvendësministren për Evropë dhe Punë të Jashtme si dhe me deputetët e kuvendit shqiptar, gjatë të cilave Salihu ndau programin dhe vizionin e tij për të ardhmen e shqiptarëve në Evropë.
“Si biri që kthehet tek nëna, këtë udhëtim të gjatë politik nuk mund ta ndërmerrja pa vizituar Tiranën”, u shpreh Salihu, i cili theksoi se përkrahja nga të gjitha institucionet dhe blloqet politike e bën të ndjehet plot përgjegjësi dhe i privilegjuar të përfaqësojë interesat e shqiptarëve të Italisë, jo vetëm në Parlamentin Evropian.
Muharrem Salihu, me këtë vizitë në Tiranë, tregoi se është i vendosur dhe i përkushtuar për të përfaqësuar shqiptarët në Parlamentin Evropian. Mbështetja e liderëve shqiptarë është një dëshmi e rëndësisë dhe e potencialit që kjo kandidaturë mban për të gjithë shqiptarët. Ky është një moment historik që na bën krenarë dhe na jep shpresë për një të ardhme më të mirë dhe më të bashkuar në Evropë.