Presidenca i ka dërguar shkresë zyrtare Kuvendit të Kosovës, ku ka kërkuar që presidentit Thaçi t’i organizohet një seancë më 4 mars në orën 16:00, për t’i njoftuar deputetët e Kuvendit të Kosovës, në lidhje me vizitën e realizuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe takimet që ka mbajtur atje.
“Në shkresën zyrtare drejtuar Sekretarit të Kuvendit, Sekretari i Presidencës ka kërkuar që të bëhen të gjitha përgatitjet për mbajtjen e një seance në lidhje me këtë çështje.
Presidenca kishte shprehur gatishmërinë e presidentit Thaçi që ai t’i drejtohej Kuvendit edhe në fund të vitit të kaluar, siç parashihet me Kushtetutë, mirëpo kjo seancë nuk ishte organizuar, pasi që Kuvendi nuk ishte plotësisht i konstituuar”, thuhet në njoftimin për media.
Kujtojmë se gjatë kësaj vizite, Thaçit i është bërë e qartë në Shtëpinë e Bardhë dhe në institucionet e tjera të larta në Uashington, se duhet të hiqet taksa plotësisht në mënyrë që t’i hapet rrugë marrëveshjes finale dhe përmbylljes së dialogut me Serbinë. Edhe publikisht, zyrtarë të lartë amerikanë, përfshirë të dërguarin special për dialog, Richard Grenell kanë deklaruar që nuk pranojnë masa gjysmake në lidhje me tarifën. /Telegrafi/