Telegrafi

Vizita e Stoltenbergut në Ballkan: Rriafirmim i angazhimit të NATO-s për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon

Aleanca më e fuqishme ushtarake në botë, NATO, ka publikuar në rrjetet sociale një video përmbledhëse të vizitave të shefit të saj, Jens Stoltenberg, në Ballkanin Perëndimor.

Sipas NATO-s, vizita e Sekretarit të Përgjithshëm tregon se sa e përkushtuar është aleanca për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në rajon.

Në mesin e shteteve ballkanike, Stoltenberg ka vizituar edhe vendin tonë Kosovën.

Ai në videon përmbledhëse shihet teksa takohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti si dhe me komandantin dhe disa ushtarë të KFOR-it.

“KFOR-i do të ofrojë sigurojë mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet. Ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë në mënyrë të paanshme dhe sipas mandatit tonë të dhënë nga Kombet e Bashkuara. Stabiliteti varet nga të gjitha palët duke zgjedhur diplomacinë para dhunës. NATO fuqishëm mbështet dialogun Prishtinë-Beograd të lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Të dyja palët duhet të angazhohen për mirëbesim”, dëgjohet duke deklaruar Stoltenberg.

Theksojmë se Stoltenberg ka vizituar edhe Maqedoninë e Veriut, ku është takuar me kryeministrat e vendeve të rajonit, të cilat janë anëtare të NATO-s.

Ndryshe, shefi i NATO-s ka vizituar vendet e rajonit pas paralajmërimeve të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, se Rusia do të përpiqet të nis një luftë të re në Ballkanin Perëndimor. /Telegrafi/