Site icon Telegrafi

Vizita e Petkoviqit në Kosovë, nga Qeveria thonë se leja iu dha në koordinim me MPJD-në

Drejtori i të ashtuquajturës zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq është duke qëndruar në Kosovë për një vizitë dy ditore.

E leje për të hyrë në territorin e Kosovës, i kanë dhënë institucionet kosovare.

Zëdhënësja e Qeverisë, Antigona Baxhaku-Idrizi ka thënë për Telegrafin se leja i është lëshuar në koordinim me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

“MPJD në konsultim me Kryeministrin Hoti i kanë dhënë leje z. Petkoviq për vizitë në vendin tonë. Qeveria respekton marrëveshjen e arritur në Bruksel lidhur me lëvizjen e lirë dhe vizitat e zyrtarëve të lartë serbe, në të cilën thuhet qartë se secila kërkesë analizohet nga institucionet kompetente para se të miratohet apo të refuzohet”, ka thënë Baxhaku-Idrizi.

Petkoviq sot dhe nesër do të jetë në veri të Kosovës, me ç’rast do t’i vizitojë komunat me shumicë serbe si Mitrovicën e Veriut dhe Zubin Potokun.

Kjo është vizita e parë e Petkoviqit në Kosovë që nga marrja e detyrës si drejtor në këtë zyrë duke pasuar Marko Gjuriqin. Ai fillimisht e ka vizituar Qendrën Shëndetësore në Mitrovicën e Veriut dhe laboratorin e sapondërtuar për testet PCR. /Telegrafi/

Exit mobile version