Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pret nesër në takim Përfaqësuesin Special të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer.
Lajmi është bërë i ditur nga Kabineti i Presidentit, sipas të cilit takimi do të mbahet në ora 13.30.
Përfaqësuesi Special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer nesër gjatë ditës do të mbajë një fjalim para studentëve dhe shoqërisë civile në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës.
Vizita e Palmer në Kosovë ishte paralajmëruar më herët, por nuk ishte caktuar data e vizitës.
Kjo vizitë në vendin tonë vjen pas asaj që Palmer bëri ditë më parë në Maqedoninë Veriore.
Palmer më herët kishte thënë se qëllimi i tij është që të kthejë Beogradin dhe Prishtinën në tryezën e bisedimeve sa më shpejt të jetë e mundur dhe të sigurojë një marrëveshje.
Ai po ashtu kishte treguar se e pranoi postin pasi mendon se mund të arrihet një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve Beograd-Prishtinë, e cila sipas tij, do t’i hapte rrugën drejt Evropës Serbisë dhe Kosovës.
Palmer ka shfaqur shpresën se Qeveria e ardhshme e Kosovës do të pranonte të pezullojë tarifat për të lejuar që dialogu të rifillojë, dhe se Beogradi do të ndalë përpjekjet e tij që vendet e tjera të heqin njohjen e Kosovës.
Ndryshe, bisedimet janë bllokuar që nga nëntori i vitit të kaluar kur Qeveria e Kosovës vendosi tarifën 100 për qind ndaj mallrave serbe. Si kundërpërgjigje, Beogradi kushtëzoi rifillimin e bisedimeve me heqjen e taksës.
SHBA dhe BE i kanë bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të pezullojë taksat për t’u hapur rrugën bisedimeve, gjë e cila është refuzuar nga Prishtina zyrtare, duke thënë se ato do të hiqen vetëm kur Serbia të njohë Kosovën.