Gjashtë javë para protestave studentore të 1 tetorit të 1997, studentët pritën në vizitë një grup personash që vinin nga Deçani, e që organizatori i tyre ishte Rasim Selmanaj i cili me anë të autobusit, transportoi të gjithë ata për në Prishtinë.
Atyre u printe nëna e vëllezërve Gërvalla, nëna Ajshe, e cila u shkoi në vizitë studentëve për t’i përkrahur në nismën e tyre.
Kjo vizitë do të kthehej në një pikë motivimi për studentët të cilët jo pak u frymëzuan nga fjalët e saj dhe të organizatorëve të atij udhëtimit.
“Ka pas edhe momente kur ka ardh ndihma nga nuk e kemi prit, për shembull vizita jonë e parë tek ne, shumë e rëndësishme e inspiruese, ka qenë vizita e shoqërisë kulturo-artistike “Jusuf Gërvalla” të Deçanit, në krye me nënën Ajshe. Ardhja e nënës Ajshe ka qenë tepër motivuese, unë dua të falënderoj shumë tërë stafin, kanë ardhur një autobus me njerëz për të na motivuar, na kanë sjellë portretin e Jusuf Gërvallës na kanë sjellë fjalë të mira. Ka qenë me këmbë të mbarë nëna Ajshe, ka qenë diku gjashtë javë para protestës”, ka deklaruar Muhamet Mavraj “n’Demos”.
Të frymëzuar e të motivuar si asnjëherë më parë, studentët e kishin të qartë para vetes, se kjo protestë do të ndodhte më 1 tetor të ’97.
Këta kishin presion nga veprimtarë të mëdhenj shqiptar që kjo protestë të shtyhej, mirëpo si “rebel” të kohës që ishin, ata mbajtën protestën e cila do t’i nxjerrte në rrugë sipas tij 1 milion shqiptarë.
“Ardhja e 13 ambasadorëve të huaj para 1 tetorit, Adem Demaçi na pat dërguar fjalë shtyne dhe 10 ditë se s’bohet kijameti. Por, ne e dinim se kjo nuk do të ndodhte, pasi studentët kanë vendosur që më 1 tetor të ndodhte protesta, kur ndodhi nuk kishim pritur që do të kishte aq shumë njerëz, ishte një shpërthim. Tërë trotuaret e Prishtinës ishin të mbushur me njerëz duke i pritur studentet, dhe sipas mendimit tim, në të gjithë qytetet e Kosovës kanë qenë 1 milion qytetar që kanë dalur në rrugë në përkrahje për ne”, është shprehur Mavraj.