Nesër, me 10 qershor 2022, në Kosovë do të qëndrojë për vizitë zyrtare Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, së bashku me një delegacion shoqërues.
Policia e Kosovës, gjatë kësaj vizite do të kujdeset për ofrimin e sigurisë dhe mirëmbajtjen e rendit e qetësisë publike, gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe qëndrimit të delegacionit shtetëror në Kosovë.
Kancelari gjerman pritet të mbrrijë në Prishtinë në orën 09:45 minuta.
“Për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës zyrtare nën përcjellje dhe sigurim sipas itinerarit të lëvizjes, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme në intervale të shkurta kohore të qarkullimit të trafikut në disa segmenteve rrugore ku pritet të kalojë eskorta”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
“Njëkohësisht për të mundësuar qarkullimin dhe riorientimin e trafikut në rrugë alternative në lokacionet ku pritet të kalojë eskorta do të angazhohen zyrtarë policorë të njësiteve relevante, andaj Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik”, thuhet në njoftim.
Gjatë vizitës në Kosovë Scholz do takohet vetëm me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin. Pas takimit në ora 11:30 Kurti dhe Scholz do të mbajnë një konferencë të përbashkët për media. /Telegrafi/