Telegrafi

Vizita e Escobarit në Kosovë, ambasada amerikane: Mbështetja për Kosovën është e palëkundur

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë ka përmbledhur vizitën e emisarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar në Kosovë.

Ambasada rithekson se përkundër sfidave që janë tani në marrëdhëniet dypalëshe, mbështetja e SHBA-së për Kosovën mbetet e palëkundur, transmeton Telegrafi.

“Siç theksoi Escobar, derisa kemi disa sfida në marrëdhëniet tona dypalëshe tani, mbështetja jonë për popullin e Kosovës është e palëkundur”, theksohet në komunikatë.

Ndryshe, emisari amerikan Escobar ka deklaruar të premten se kryeministri Kurti ka refuzuar propozimet e tij për dinarin.

“Unë i kërkova kryeministrit ta suspendojë vendimin përderisa ne, bashkë me Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe Qeverinë e Kosovës, punojmë për një zgjidhje më afatgjate që u përshtatet nevojave tuaja, pra transfereve elektronike në euro përmes sistemit të Kosovës. Por, tani, ne duhet të bëjmë diçka urgjente. Fatkeqësisht, nuk pata sukses për ta bindur atë për këtë”, kishte deklaruar ai.

Ndërkaq, kryeministri Albin Kurti derisa kishte njoftuar për takimin me Esobar, ka bërë të ditur se ka përsëritur nevojën që Serbisë t’i kërkohet llogari për sulmin në Banjskë, ku ishte vrarë rreshteri Afrim Bunjaku./Telegrafi/