Telegrafi

Vizita e Dalai Lamës në Gjermani shqetëson kinezët

Ndërsa në Gjermani Dalai Lamën e presin si të ishte ylli i muzikës pop, në Pekin ai është "person i padëshirueshëm". Takimi i Angela Merkelit me Dalai Lamën është për kinezët baras me pëlhurën e kuqe për demin.

Një nga njohësit më të mirë të Gjermanisë në Akademinë e Shkencave Shoqërore në Pekin i ka dërguar kancelares një letër, ku i kërkon që ta anulojë takimin.

Profesori Liu Liqun ka thënë se Merkel tregohet e papërgjegjshme duke pritur Dalai Lamën: "Unë i kam numëruar në letër zonjës Merkel edhe pasojat e mundshme, dhe se emri që gëzon Gjermania në Kinë dhe marrëdhëniet gjermano kinezë do të dëmtoheshin shumë".

Profesor Liu nuk përjashtoi mundësinë që si pasojë e këtij takimi të anulohen projekte gjermano-kineze. Të shqetësuar janë edhe biznesmenët gjermanë në Kinë. Takimi me Dalai Lamën "nuk është shumë i dobishëm" për ekonominë, thonë ata nën zë.

Qeveria në Pekin e ka dënuar disa herë vizitën e kreut fetar të budistëve tibetiane në Gjermani. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme, Jian Yu, tha se Dalai Lama nuk është një figurë e mirëfilltë fetare.

"Ai është një figurë politike dhe në emër të fesë përpiqet ta përçajë atdheun. Ai nuk është vetëm, por përfaqëson forcat separatiste. Ne këtë e hedhim poshtë. Përveç kësaj, ne hedhim poshtë faktin, që disa shtete e shfrytëzojnë veprimtarinë e tij për të ndërhyrë në punët e brendshme të Kinës".

Edhe nëpër faqet kineze të internetit, të cilat normalisht janë rreptësishtë të censuruara, njerëzit lejohen të shprehin pakënaqësitë e tyre ndaj takimit në Berlin. "Ky takim tregon se sa të korruptuar janë gjermanët", thuhet në njërin nga komentet. Në një tjetër thuhet thjesht: "Turp për Gjermaninë!"

Profesor Liu thotë se kinezët ndjehen "të ofenduar" nga ky takim. As një muaj nuk ka kaluar që kur kreu i Pekinit e priti Merkelin krahëhapur. Prandaj edhe takimi aktual është veçanërisht lëndues.

Për profesor Liun takimi me Dalai Lamën nuk është me karakter privat, siç është thënë nga qeveria gjermane: "Kancelarja gjermane në detyrë mund të jetë gjithçka tjetër, por jo person i mirëfilltë privat", thotë ai.

Ministria e jashtme kineze kishte porositur qysh një javë më parë ambasadorin gjerman në Pekin, Mihael Shefer, për të protestuar kundër takimit. Merkel nuk ndryshoi qëndrim.

Të shtunën Kina anuloi një takim të paraparë në Munih me ministren gjermane të drejtësisë, Brigitte Cypries. "Për shkaqe teknike" u bë e ditur nga pala kineze, vizita e Dalai Lamës nuk përmendej. Takimi mes Merkelit dhe nobelistit të paqes do të zgjasë gati një orë. /Deutsche Welle/