Pak kohe më parë, presidenti Obama, pat deklaruar në kontinentin e origjinës së babait të vet se “Afrikës nuk i duhen politika te forta, por institucione të forta” , dhe çuditërisht, kjo nuk tingëllon aspak e huaj as për ne
Ne, tashmë e kemi bërë refren dëshirën tonë për të “shkuar” në Evropë. Evropa, jo gjithherë ishte e entuziazmuar me këtë ide. Ajo donte që Evropa të vij këtu, përmes mënyrës së jetesës, punës, organizimit shoqëror e institucional. Atëherë, edhe ne nuk do të vërshonim Evropën, sidomos nëntokën, por do të shkonim atje me ide , angazhime, apo projekte konkrete.
Evropa na përkrahu edhe kur me sjelljet tona shpeshherë nuk e arsyetonim këtë, sepse na kuptoi se robëria e gjatë i ka lënë pasojat e veta dhe se mentaliteti i robit dhe kryengritësit , dallon prej mentalitetit të qytetarit të lirë i cili beson në ligj dhe institucione.
Pas ndërhyrjes ushtarake SHBA-BE, kundër ushtrisë dhe policisë serbe në Kosovë, por edhe Serbi, dhe pas përkrahjes së madhe për pavarësinë e shpallur të Kosovës e cila rezultoi me njohje nga shumica e vendeve Evropiane, na erdhi sikur zhgënjim, mos përfshirja në procesin e liberalizimit të vizave.
Ishte zhgënjyese për ne që një shtet, në moshën e tij njëvjeçare nuk ishte pranuar si i rritur ende pa i marrë kompetencat e plota në tërë territorin e vet dhe ende pa i pas të rrumbullakësuara të gjitha institucionet bazike të sigurisë.
Shtetet (mbi)100 vjeçare si Shqipëria, Serbia, dhe shtetet pak a shumë të stabilizuara si Mali i Zi dhe Maqedonia, u morën në shqyrtim, ndërkohë që qytetarët tonë, do të vazhdojnë të grumbullojnë dokumente, të paguajnë taksa dhe të kalojnë nëpër disa filtra derisa të marrin një leje për të vizituar ndomnjë vend anëtar të BE.
Berisha e pranon fajin
Kryeministri shqiptarë , pranoi publikisht fajin duke deklaruar se vendimi i BE për vizat ishte i drejtë sepse Shqipëria nuk i kishte përmbushë kriteret që i kishte parashtruar ajo. Kjo deklaratë nuk është e vlefshme vetëm për shkak të sinqeritetit të plotë, i cili në politikë nuk është aq i shpeshtë, sa për faktin se tregon bindshëm se z. Berisha është i vendosur të drejtoi qeverinë e tij të re drejt përmbushjes së këtyre kritereve.
Në Kosovë , për këtë çështje heshtet nga pushteti, ndërkohë që opozita përpiqet t’e kapitalizoi atë. Në shtyp, dhe në media kishte komente të llojllojshme, përfshi edhe teori konspiracioni, ku këtij vendimi i visheshin edhe motive nga më të ndryshmet, madje edhe antishqiptare apo anti-islame.
Vendimi i BE i bazuar në gjendjen reale ne shoqëri dhe institucione
Definitivisht, mos përfshirja e Shqipërisë, Kosovës, Bosnjës dhe në turën e liberalizimit të vizave, nuk mund të kualifikohet si akt i motivuar nga qëllime antishqiptare apo anti -islame. Edhe përkundër faktit se nuk është për t’u nënvlerësuar roli i grupeve islamike, apo grupeve kriminale të shqiptarëve nëpër botë.
Thyerja e pasqyrës nuk kryen pune, kur dikush bëhet nervoz për pamjen e vet. Gjendja e sigurisë ne këto tri shtete, pak a shume ndoshta me përjashtim të Shqipërisë, ende nuk është e tillë për të fituar këtë besim të BE.
Derisa Bosnja dhe Hercegovina është ende me potencial të madh shpërthyes, përkundër miliardave të investuara në sigurinë e sajë, në Kosovë dukuri tjera , pak a shumë edhe këto të lidhura me rendin dhe sigurinë e bëjnë Evropën të hezitoj.
Fenomeni i kontrabandës, korrupsionit dhe institucioneve ende të brishta dhe ekzistimi i grupeve të ndryshme gjysmë ushtarake, për konfrontim apo presion, demokracia e brishte , nuk kanë ndërtuar imazh të mirë te vendimmarrësit evropian.
Derisa pajtohen, se në të ardhmen e afërt, kjo do të duhej të ishte një hap i domosdoshëm, zyrtarët evropian anashkalojnë të shprehin drejtpërdrejtë arsyet.
Serbia s’ka kurrfarë ndikimi në vendimmarrjen evropiane
Hiperbolizimi nga ana e kosovarëve, i rolit të lobit serb në këtë vendimmarrje është i çuditshëm kur kihet parasysh se përpos zhurmës qe kanë bërë dhe vazhdojnë të bëjnë ata kryesisht për nevoja të brendshme, nuk arritën gati në asgjë të devijojnë vendimmarrjen e shumicës së vendeve evropiane para dhe gjatë procesit të shpalljes së pavarësisë ( dhe para intervenimit ushtarak me 1999).
Fetishizimi dhe ideja për gjithë praninë serbe në Kosovë, ndjenjë kjo gati paranoike e shumë analistëve e madje edhe vendimmarrësve, është një veprim jo vetëm i paarsyeshëm por edhe një konstatim i paqëndrueshëm.
Në fakt, disa lëshime që po i bëhen Serbisë më tepër janë në funksion të mbështetjes së forcave properëndimore atje, të cilat gjithashtu , me një qasje tejet të kujdesshme po përpiqen të thyejnë boshtin tradicional të Serbisë me Rusinë.
Përse kjo qasje e BE nuk është anti-islame?
Nëse e bëjmë një krahasim , nga këndi religjioz, në mes të shqiptarëve që jetojnë në Shqipëri, Kosovë, apo Maqedoni, besoj se shumica do të pajtohen se praktikimi i fesë islame në Maqedoni është shumë më i theksuar dhe qarqet militante janë ndoshta më të fuqishmet dhe më të organizuarat në krahasim me vendet tjera. Megjithatë kjo nuk ishte pengesë që Maqedonia të jetë në listën e vendeve të para të Ballkanit perëndimor që do të futet në radhën e të privilegjuarve, bashkë me Serbinë dhe Malin e zi. Po ashtu edhe në Sanxhak ekzistojnë qarqe militante islamike , të cilat aspak nuk ndikuan në vendimmarrje rreth vizave.
Kufijtë ende te pakontrollueshëm të Bosnjës, Kosovës dhe Shqipërisë ( megjithëse Shqipëria ka bërë shume në këtë drejtim) dhe korruptimi i administratës duket të jenë arsyet kyçe për mos liberalizimin e vizave. Pasaportat biometrike, po ashtu paraqesin një minus në këtë drejtim dhe është pak a shumë e çuditshme se si zyrtarët nuk e kanë pas në konsideratë këtë element tejet të rëndësishëm i cili nuk kushton edhe aq.
“Ndikimi” pozitiv i Serbisë
Nëse në çfarëdo mënyre Serbia ka ndikuar në këtë proces, dhe atë pozitivisht, është fakti se BE duke e ndaluar mundësinë që për qytetarët e Kosovës, pavarësisht nga etnia, të jepen pasaporta serbe, dhe duke e bërë qeverinë serbe të pranoj një akt të tillë, ajo në fakt po e detyron atë që në mënyrë indirekte të njoh realitetin e ri, pra të pranoi se Kosova më nuk është pjesë e saj.
Receta e ilaçit të hidhur , të përzier me mjaltë, si duket e bëri punën e vet edhe përkundër zhurmës opozitare në Serbi edhe përkundër përbetimeve qeveritare se kurrë nuk do ta njohin pavarësinë e Kosovës.
Po të shtrohej kjo çështje në formë tjetër, ajo nuk do të kalonte assesi në Serbi, dhe ndoshta as në BE., sepse Serbia dhe aleatët e paktë të sajë do të thirreshin në një dokument ende formalisht të vlefshëm ndërkombëtar : rezolutën 1244 të OKB.
Kështu, serbët, duke pranuar të hyjnë në këtë pako ( Serbi, Maqedoni, Mal i Zi) në fakt vet e shkelen këtë dokument, pikërisht në pjesën e cila formalisht e njeh Kosovën si pjesë të Serbisë. Ndërkohë që, sipas të gjitha gjasave, kur të shtrohet çështja e Kosovës , serbët ende nuk do të jenë anëtarë të BE dhe, gjithsesi ende nuk do të kenë drejtë vetoje.
Obama në Afrikë
Në vend se të vajtojmë, apo edhe më keq, të fajësojmë poshtë dhe lartë, e mira e së mirës do të ishte që të angazhohemi më shumë që të evitojmë lëshimet tona si shoqëri, si institucione dhe si vendimmarrës.
Në fakt, ndoshta fajtori kryesor duhet të jetë mendësia jonë e cila nuk është aspak autokritike dhe aspak e vetëdijshme për interesat kolektive. Duke marrë shembull nga z. Berisha, duhet shikuar vërtetë lëshimet tona, dhe për të plotësuar këto kritere duhet krijuar një spektër të gjerë politik të cilët synojnë drejt Evropës.
Në vend të fjalëve të forta, kërcënimeve publike dhe fushatave agresive të drejtuara kundër partive apo grupeve të interesit, në rend të parë do të ishte me interes për qytetarët e Kosovës, të kemi një politikë integruese dhe paqtuese. Pajtimi i pozitës dhe opozitës për një politikë të përbashkët evropiane, madje për njëmendësi evropiane, është i domosdoshëm.
Pak kohe më parë, presidenti Obama, pat deklaruar në kontinentin e origjinës së babait të vet se “Afrikës nuk i duhen politika te forta, por institucione të forta”, dhe çuditërisht, kjo nuk tingëllon aspak e huaj as për ne, ku qeveritarët, pavarësisht kush ndërrohet në pushtet, vazhdimisht promovojnë politika të forta të cilat vështirë se mund të zbatohen me këtë administratë të korruptuar dhe joefikase.