Site icon Telegrafi

Vive la justice!

Përfundoi "shfaqja e madhe" në Hagë. Procesi i pazakontë, i cili do të hyjë në analet e gjyqësisë, nxori në pah të palarat e Serbisë, krimin e saj, dehumanizimin, nostalgjinë koloniale. Gjatë nëntë seancave dëgjimore doli marrëzia, turpi, karikatura e regjimit të Beogradit, karikatura e një kohe.

Shqiptarët kudo që rrojnë, edhe ata në Amerikë, Francë, Itali, Zvicër, Gjermani, Turqi, Greqi… përfundimin e këtij procesi e pritën me optimizëm. Shqiptarët që rrojnë në Francë, në gjuhën e presidentit Nicolas Sarkozy, brohoritën:"Vive la justice!" ("Rroftë drejtësia !").

Serbia kryeneçe është kundër botës së qytetëruar, kundër të drejtës ndërkombëtare. Në këtë kontekst, vlen një urti amerikane, e cila shpesh dëgjohet: "Who the hell you think you are?" " Ç’e kujton vetën, në dreq të mallkuar, se je?".

Serbët e paturpshëm morën guximin që çështjen e Kosovës, pavarësinë e saj, ta nxjerrin në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë. Këtu në këtë gjykatë, ajo pësoi fiasko.
Trupi gjykues i të 15-ve, të cilin e kryeson gjykatësi japonez ka kohë të shpalosë, studiojë, analizoj, "lëndën e trashë", të nxjerrë konkludimin, mendimin këshillëdhënës se në anën e kujt është e drejta. Mendimi këshillëdhënës, siç flitet do të jepet në pranverë të 2010-ës.

Mendimi këshillëdhënës do "t’ia çel udhën" shteteve që janë hamendur ta njohin pavarësinë e Kosovës. Aktet e njohjes do të vërshojnë. Anëtarësimi i Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB) është një proces i pashmangshëm.

Dëshmitë e 14 shteteve, Shqipërisë, Amerikës, Gjermanisë, Britanisë së Madhe, Francës, Arabisë Saudite, Austrisë, Bullgarisë, Kroacisë, Danimarkës, Holandës, Norvegjisë, Finlandës dhe Jordanisë, ishin në anën e Kosovës, ato i përgënjeshtruan fuqishëm, në gjuhën e argumenteve juridike, akuzat e Serbisë dhe përkrahësve të saj emocionalë.
Përfaqësuesit e këtij apo atij shteti, përkrahësit e Kosovës, tërhoqën vëmendjen se nuk do të ndodhë restitutio in integrum – kthimi në gjendjen e mëparshme.

Tjetër janë emocionet, tjetër provat juridike që ishin në anën e Kosovës. Gjykata s’është pazar, kujt t’i teket të shet dushk për gogla. Gjykatësit, edhe këta të Hagës, i përmbahen parimit, të trashëguar nga e drejta romake: "Daho mihi facta, dabo tebi ius" ("Mi jep provat, ta ndajë drejtësinë"). Ku me i marrë ato prova juridike Serbia?!

Vendimi i Gjykatës mund të jetë dualist, neutral, t’i bëhet qejfi edhe Serbisë. Mund të jetë mendimi këshilldhënës në favor të Kosovës. Dhe, alternativa tjetër. Dispozitivi i vendimit të jetë i shkurtër – Gjyqi merr vendim: Nuk deklarohet për çështjen.

"Aktakuza" e Serbisë ishte me "këmbë të qelqta". Ajo u thye, u bë copë copë, mbetën "spirrat", të iclat Serbia do t’i marrë, do t’i ruajë "për kujtim".

As në mënyrë implicite, as eksplicite, Deklarata e Pavarësisë së Kosovës, e 17 shkurtit 2008, nuk bie ndesh me asnjë paragraf të së drejtës ndërkombëtare.

Hartuesit e së drejtës ndërkombëtare nuk janë budallenj ta privojnë të drejtën e shpalljes së shtetit, ta parashohin një ndalesë të tillë, ngase atëherë humb kuptimi i kësaj të drejte. Shpallja e shtetit nënkupton lirinë , lirinë e një vendi. Liria nuk kriminalizohet, apo jo, ngase kjo do të ishte contradictio in adjecto me të drejtën ndërkombëtare.

Amerika tha: "Lëreni të qetë Kosovën…". Franca spikati: Kjo çka ka bërë Serbia ndaj Kosovës është turp. Ajo i sugjeroi gjyqit që me këtë çështje të mos merret. Shprehja "turp, turp" tërhoqi vëmendjen jo vetëm tek pjesëmarrësit e gjykimit, por ajo jehoi edhe jashtë sallës së gjykimit. Reagimin e Francës e transmetuan agjencitë botërore të lajmeve…

Kroacia e nxori nga takti Serbinë, e bëri të flet me vetveten. Ajo i tha troç Serbisë se ajo e ka suprimuar autonominë e Kosovës në ‘ 89-ën. Suprimuesi i kësaj autonomie, Sllobodan Millosheviqi jo rastësisht nuk është gjendur në Tribunalin e Hagës, i akuzuar për krime të luftës, krim kundër njerëzimit dhe gjenocid. Në GJND gjendet edhe argumenti tjetër, në disfavor të Serbisë, aktgjykimi i ish- presidentit të Serbisë, të akuzuarit Millan Millutinoviqt që flet për gjenocidin në Kosovë.

Pikërisht, ish "anëtarja e familjes" se Federatës jugosllave, Kroacia "ia nxori zorrët" Serbisë, i shkaktoi harakirin shpirtëror.

Në Hagë mbaroi filmi. Këtu ishte "ventili" i fundit i Serbisë. Pas këtij procesi, ajo mund të ankohet në ndonjë shoqatë humanitare, apo kishë, të rrëfehet para popave.

Presidentin i Serbisë, Boris Tadiqi, i mllefosur për deklarimin e Kroacisë në Hagë u paraqit në shtypin e Beogradit me një deklaratë "bombastike" se "Kroacia po përzihet në punët e brendshme"!

Exit mobile version