Telegrafi

Vitin e kaluar në rajonin e Tetovës 1.059 vizita te mjeku amë për shkak të sëmundjeve malinje

Gjatë vitit 2020, Shërbimi për Mjekësi Sociale dhe Statistikë pranë Qendrës së Shëndetit Publik në Tetovë shënoi 1.059 vizita te mjeku amë në bazë të neoplazmës – sëmundje malinje e ndonjë organi.

Bëhet fjalë për numër të përgjithshëm prej 1.059 vizita te mjeku amë në rajonin e Tetovës te të cilët një pjesë e tyre kanë të bëjnë për persona me sëmundje të sapodiagnostikuar malinje, por edhe i të sëmurëve tashmë ekzistues për shkak të kontrolleve dhe recetave.

“Në evidencën e mjekëve amë për sëmundje malinje të cilat i kanë dorëzuar në Qendrën e Shëndetit Publike, dominojnë sëmundje të gjirit, në vendin e dytë janë ato të organeve të frymëmarrjes dhe në vendin e tretë të traktit digestiv”, informojnë nga Shërbimi për Mjekësi Sociale dhe Statistikë.

Prej atje potencojnë se numri është vetëm rrëfim i vizitave te mjekët amë përderisa nuk janë evidentuar sëmundje malinje të konstatuara në Spitalin Klinik në Tetovë dhe klinikat dhe spitalet e tjera publike dhe private.

Sot më 4 shkurt organizatat shëndetësore e shënojnë Ditën Botërore të Kancerit , me qëllim ngritjen e vetëdijes dhe parandalimit të miliona rasteve të vdekjes.

“Kanceri është sëmundje e cila paraqitet kur ndryshimet në grupin e qelizave normale në organizëm shkaktojnë rritje të pakontrolluar, abnormale, duke formuar një gungë të quajtur tumor. Tumoret mund të ndahen në tre grupe: benigne, malinje dhe prekanceroze. Në botë 9,6 milionë njerëz vdesin nga kanceri për çdo vit”, thuhet në raportin e Institutit të Shëndetit Publike me rastin e ditës së sotme.

Motoja e shënimit të Ditës Botërore të Kancerit këtë vit është “Unë jam dhe Unë do të”.