Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, deputeti i Kuvendit të Kosovës, Elmi Reçica, drejtori i Drejtorisë së Pronës, Gjeodezisë dhe Kadastrit, Sabri Murseli, pritën në takim, drejtues të Agjencisë Kadastrale të Kosovës, me ç ‘rast temë e diskutimit në këtë takim ishin finalizimi i sistemit të adresave dhe digjitalizimi i arkivit të kadastrit.
Përfaqësuesit e Agjencisë Kadastrale të Kosovës, njoftuan të parin e Ferizajt, Agim Aliu se nga viti i ardhshëm pritet të filloj digjitalizimi i arkivit të kadastrit, përkatësisht azhurnimi i kadastrit të ndërtesave kurse në këtë vit do të mbyllet procesi i sistemit të adresave.
Ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë Kadastrale të Kosovës, Avni Ahmeti dhe Esat Xani, ekspert i kadastrit nga ky agjencion theksuan rëndësinë e këtij projekti për qytetarët, shërbimin më të shpejt me dokumentet e kërkuara kadastrale si dhe lehtësimin e administratës komunale në ofrimin e këtij shërbimi.
Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu tha se këto nisma janë të mirëpritura për qeverisjen lokale dhe administratën komunale, paçka i konfirmoi gatishmërinë që të marr përsipër të gjitha obligimet nga niveli lokal, që dalin nga ky proces.
Sipas një komunikate të komunës së Ferizajt, sistemi i adresave, përkatësisht evidentimi i objekteve dhe digjitalizimi i shërbimeve kadastrale janë parakushte për shërbime cilësore dhe efikase ndaj qytetarëve si dhe siguri e shtuar e dokumentacionit të ndjeshëm kadastral./Telegrafi