Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka vizituar këtë të mërkurë Klinikën e Oftalmologjisë në QKUK, nga ku ka deklaruar se 2 milionë euro janë kursyer nga buxheti falë shërbimeve të reja.
Sipas ministrisë, gjatë kësaj vizite Vitia është njoftuar se me shërbimin e kirurgjisë vitreoretinale (operacionet në segmentin e pasmë të syrit – Pars Plana Vitrectomi – PPV) është zvogëluar numri i pacientëve që trajtohen jashtë institucioneve shëndetësore publike, nga 500 raste të referuara në vit – siç ka ndodhur në të kaluarën, në rreth 100 raste në vit.
“Këto shërbime të reja, të cilat tani ofrohen në Klinikën e Oftalmologjisë, kanë ndikuar që të kursehen rreth 2 milionë euro buxheti, si dhe njëkohësisht kanë kursyer xhepat e pacientëve. Shpreh mirënjohjen time të thellë për punën e palodhshme të stafit shëndetësorë në Klinikën e Oftalmologjisë”, është shprehur ministri.
Ai tutje ka thënë se Ministria e Shëndetësisë do të ofrojë mbështetjen e saj të plotë për t’i mbuluar nevojat në bazë të rritjes së vëllimit të punës dhe shërbimeve në sallat operative, ambulancat specialistike, si dhe për të ofruar kushte më të mira të punës për stafin shëndetësor. /Telegrafi/