Telegrafi

Vitia nga Deçani: Situata është nën kontroll, po presim rezultatet e analizave

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka vizituar edhe sot Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Deçan, prej ku tha se gjendja është e qetë dhe nën kontroll.

Vitia tha para gazetarëve se “fluksi i qytetarëve ka rënë, situata është komplet nën kontroll dhe e qetë për momentin”.

Ai tutje u zotua se do të qëndrojnë pranë qytetarëve dhe stafit shëndetësor në Deçan.

“Ne si Ministri e Shëndetësisë qëndrojmë pranë edhe drejtorit, edhe qytetarëve por edhe pranë stafit, qoftë për nevojat që kanë qytetarët por edhe për resurset humane”, theksoi Vitia.

I pyetur për rezultatet e analizave, ai tha se ato do të publikohen sapo të jenë gati, teksa theksoi se do të bëjnë maksimumin që bashkë të sanojnë problemet eventuale.

“Ashtu siç kemi thënë, një pjesë e rezultateve ka dal, një pjesë tjetër po pritet, sepse për disa rezultate duhet kohë për mbjelljen e kulturave bakteriale, e një pjesë tjetër do të dërgohet jashtë shtetit për analizë më specifike”.

Vitia tha se, “Kurdo që i kemi gati përmes IKSHPK-së do t’i informojmë qytetarët, e si Qeveri bashkë me autoritetet lokale do të bëjmë maksimumin për të sanuar secilin problem eventual”. /Telegrafi/