Telegrafi

Vitia: Në momentin që sigurojmë më shumë vaksina, punojmë fundjavave dhe me ekipe mobile

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia iu ka bërë thirrje qytetarëve që të zgjedhin edhe vaksinën AstraZeneca, jo vetëm Pfizer.

Vitia ka thënë se Kosova siguron vaksina përmes kontratës bilaterale me Pfizer dhe mekanizmit COVAX.

Ai ka folur edhe për problemet që kanë hasur qytetarët me sigurimin e termineve për vaksinim.

“Sa kemi vaksina në stoqe, aq janë edhe terminet e mundshme për vaksinim. Në momentin që ne kemi më shumë vaksina punohet edhe të shtunave siç është punuar. Në momentin kur të kemi akoma më shumë vaksina do të punojmë edhe vikendeve dhe do të bëjmë edhe ekipe mobile të vaksinimit”.

“I gjithë trendi i vaksinimeve shkon me numrin e vaksinave që kemi në stoqe. Sa kemi vaksina në stoqe aq termine mund të lejojmë në platformën e-kosova”, deklaroi Vitia.

Vitia thotë se aktualisht në IKSHPK janë rreth 40 mijë doza të vaksinës Pfizer dhe disa të tjera nëpër komuna që arrijnë shifrën deri në 15 mijë. Ndërsa në stokun e IKSHPK-së janë rreth 132 mijë vaksina të kompanisë AstraZeneca.

I pari i shëndetësisë thotë se nesër në Kosovë pritet të arrijnë 55 mijë doza të vaksinës Pfizer./Telegrafi/