Telegrafi

Vitia: 25 gra e kanë kryer me sukses rikonstruktimin e gjirit pa pagesë në QKUK

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka njoftuar se 25 gra deri tani e kanë kryer me sukses rikonstuktimin e gjirit pa pagesë, trajtim ky që sipas tij në sektorin privat kushton nga 3 mijë deri në 5 mijë euro.

Ai këtë e ka bërë të ditur të premten pasi ka vizituar Klinikën e Kirurgjisë Plastike dhe Rikonstruktive në kuadër të Muajit të ndërgjegjësimit për luftimin e kancerit të gjirit.

Sipas njoftimit të ministrisë, Vitia është shprehur i kënaqur që shteti i Kosovës për herë të parë, përmes buxhetit të ShSKUK-së, ka siguruar mbi 100 implante dhe 50 ekspander.

“Mbi 50 gra do të kenë mundësinë të bëjnë rikonstruktimin e Gjirit, ku Ministria e Shëndetësisë do të vazhdojë me investime me qëllim që gratë e prekura nga kanceri të kenë me të lehtë diagnostikimin dhe trajtimin e tyre në institucionet publike shëndetësore”, thuhet në komunikatën për media.

Drejtoresha e Klinikës së Kirurgjisë Plastike dhe Rikonstruktive, Violeta Zatriqi, ka falënderuar ministrin Vitia që ka mbështetur furnizimin me implante dhe materiale për të bërë rikonstruktim të gjirit.

“Ministria e Shëndetësisë dhe ShSKUK, do të vazhdojnë me investime të tjera për të lehtësuar diagnostikimin dhe trajtimin e grave të prekura nga Kanceri”, thuhet tutje. /Telegrafi/