Site icon Telegrafi

Viti shkollor do të fillojë më 4 shtator

Viti shkollor 2017/2018 do të fillojë më 4 shtator pothuajse në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme të Kosovës.

Zyrtarë të Ministrisë së Arsimit konfirmuan për Radio Kosovën se tashmë janë bërë të gjitha përgatitjet e duhura dhe janë në fazën e shpërndarjeve të teksteve nëpër drejtoritë komunale të arsimit.

Ndërkohë, Sindikata e Bashkuar e Arsimit ka disa shqetësime për fillimin e këtij viti shkollor.

Ministria e Arsimit dhe drejtoritë komunale të arsimit janë në finalizim të përgatitjeve për fillimin e vitit të ri shkollor 2017/2018, që do të fillojë më 4 shtator. Ndërsa, janë rreth 28 mijë nxënës që do të ulën për herë të parë në bankat shkollore.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit për Zhvillimin e Arsimit Parauniversitar në Ministrinë e Arsimit, Mustafë Kadriu, tha për Radio Kosovën se përgjegjësitë janë të ndara për drejtoritë komunale të arsimit, sa i përket edhe infrastrukturës shkollore.

Ai tha se ministria ka përgatitur programet e reja për klasat parapërgatitore, klasën e parë, të gjashtë dhe të dhjetë.

“Kemi nxjerr një udhëzim administrativ që përshkruan në mënyrë të qartë, kur fillon, si fillon, në mënyrë që të mos ketë ndonjë amulli lidhur me zbatimin e kurrikulës. Kurrikula fillon në të gjitha nivelet, përveç arsimit profesional. Më mësimdhënësit që do të punojnë me këto klasë janë bërë trajnimet e nevojshme, pothuajse janë përfshirë të gjithë mësimdhënësit në trajnime për zbatimin e kurrikulës së re”, tha ai.

Ndërkohë, Sindikata e Bashkuar e Arsimit ka shprehur shqetësimin e saj lidhur me moszbatimin e disa pikave të kontratës së re kolektive nga ana e drejtorive komunale të arsimit.

Kryetari i Sindikatës, Rrahman Jasharaj, tha për Radio Kosovën se në shtator mund të ketë edhe veprime sindikale.

Për këtë çështje, ushtruesi i detyrës së Drejtorit për Zhvillimin e Arsimit Parauniversitar në Ministrinë e Arsimit, Mustafë Kadriu, tha se i respekton kërkesat e sindikatës, por siç tha, do të ishte mirë që sindikata të orientohej më shumë në zhvillimin e kapaciteteve të mësimdhënësve për të rritur cilësinë në arsim.

Këtë vit shkollor tekstet do të shpërndahen falas vetëm për nivelin nga klasa e parë deri në të pestën, ndërsa nga klasa e gjashtë deri në të nëntën do t’i marrin tekstet e përdorura.

Exit mobile version