Site icon Telegrafi

Viti i Rossinit shënohet edhe në Prishtinë (Video)

Me rastin e 150-vjetorit të vdekjes së kompozitorit me famë botërore, Gioachino Rossini, Ambasada e Italisë në Prishtinë organizoi koncert muzikal, me ç’rast publiku pati mundësinë të shijojë disa nga veprat e tij më të njohura.

Quinteti nga Orkestra Simfonike “G. Rossini”, shoqëruar nga solistët e Akademisë “Alberto Zedda” dhe festivalit të operës “Rossini” interpretuan për artdashësit pjesë nga tri veprat më të njohura të kompozitorit nga Pesaro.

Me këtë rast, ambasadori i Italisë në Kosovë, Piero Cristoforo Sardi, tha se Rossini është një nga kompozitorët më të rëndësishëm të operës në historinë e muzikës dhe panoramën e muzikës italiane.

“Ai ishte dhe vazhdon të jetë një super yll. Kryeveprat e tij vazhdojnë të shfaqen në programet e stinëve të muzikës në mbarë botën, duke tërhequr një publik të madh”, tha ai.

Diplomati italian nuk la pa përmendur Universitetin e Prishtinës, Filarmoninë e Kosovës dhe Institutin e Kulturës të Tiranës, si bashkëpunëtorë të kësaj mbrëmjeje muzikore, ndërsa çmoi bashkëpunimin e deritanishëm.

Muzikantët interpretuan pjesë të zgjedhura nga veprat e Rossinit, si II “Barbiere di Siviglia”, “La Cenerntola” dhe “L’Italiana in Algeri”.

Ndryshe, Gioachino Rossini mbetet një nga kompozitorët më të rëndësishëm të operës në historinë e muzikës. Ndërsa vendlindja e tij, Pesaro, çdo vit është nikoqire e disa ngjarjeve dedikuar atij. /KP/

Exit mobile version