Viti i ri është pritur me festime modeste edhe në Qendrën Korrektuese për femra në Lipjan.
Të burgosurat, që kishin nisur përgatitje për natën e ndërrimit të moteve disa ditë më herët, folën për festën, mallin për familjarët e pendimin që kanë për veprat si rezutlat i të cilave kanë përfunduar në qeli.
Nuk u rastis shpesh që të bashkohen me njëra-tjetrën. Por në prag të ndërrimit të motmoteve, disa prej grave në Qendrën Korrektuese për femra në Lipjan u është mundësuar të festojnë së bashku mbrëmjen e vitit të ri.
Përgatitjet për këtë natë, kishin nisur ditë më herët.
“Qe një javë ja kemi nis kapak e dje kena fillu me përgaditje pak më të mëdha. Normalisht për krejt burgun e kemi përgadit tortën e këto të tjerat që duhen si çdo vit tjetër. Për neve në pavijon kemi përgadit vet me mundësitë tona, do torte, do bombica, do pallaqinka që jemi mundu vet brenda mundësive tona po normalisht me lejen e stafit”, ka thënë një e burgosur.
Por, disa prej të burgosurave, gjatë një pjese të natës, vetëm fizikisht ishin në hapësirat e këtij burgu.
“Edhe pse jemi të burgosura, edhe ne jemi njerëz. Edhe ne kemi familjarë jashtë, sidomos ne që kemi fëmijë. Sa është i gëzueshëm ndërrimi i motmoteve, është edhe e prekshme e ndjeshme se na mungojnë familjarët, fëmijët tanë që është më e rëndësishmja për neve”, ka thënë e burgosur për 12 vite.
Mes tyre, dikush për herë të parë po e kalonte natën e ndërrimit të viteve në burg, e kjo nuk ishte e lehtë.
“Mesazhi jem është për krejt t’ritë, meshkuj e femna le t’menojn shumë herë para se me dasht me bo diçka se qaj gabim t’bjen këtu. Dikur nashta bohet edhe vonë kështu që mos te lajnë mu bo vonë, t rrinë afër të dashurve e le ti plotësojnë dëshirat e veta. Po jo në kësi vendesh”, ka përfunduar e burgosura.
Disa prej të burgosurave, kanë shprehur falënderimin për menaxhmentin që këtë herë, kanë pasur liri më të madhe, si në qëndrim por edhe në përgatitje për këtë natë.
Festa që për 26 të bugosurat nisi rreth orës 22, ka vazhduar deri rreth orës 4 të mëngjesit, raporton RTVD.