“Change and hope” e kishin dërguar atë në ulësen e liderit më të fuqishëm të botës. Fjalimin e tij brilant gjatë inaugurimit që pak a shumë i ngjante atij të Linkolnit mbi fitoren e shpresës ndaj frikës, unitetit mbi konfliktin dhe ndryshimet që aq shumë i kërkonte opinioni amerikan, kishte mbledhur mbi dy milionë njerëz që rrallë mbahet mend në historinë presidenciale të Amerikës.
Tashmë Obama ishte bërë një yll jo vetëm i politikës amerikane por edhe më gjerë. Amerika mezi nuk priste që t’i testojë aftësitë e këtij lideri pragmatik që kishte lënë mbresa të forta gjatë shumë fjalimeve të mençura gjatë fushatës elektorale ku nuk kishin munguar edhe premtimet për ndryshime.
Po si do të vinë këto ndryshime gjatë punës njëvjeçare të presidentit Obama dhe në ç’shkallë do të arrijnë ato. Ai ka mbajtur 42 konferenca shtypi, 158 intervista dhe 411 fjalime.
Analistë të shumtë edhe pse pajtohen se Obama ka ndjekur një politikë gjithsesi të suksesshme për Amerikën ata nuk mendojnë se kanë ndodhur ndryshimet e pritura ndaj problemeve të shumta me të cilat përballet Amerika sot.
Orvatjet e Obamës për t’i atakuar problemet ekonomike, dy luftërat në Irak e Afganistan, luftën kundër terrorizmit si dhe përpjekjet e njëpasnjëshme që ta parandalojë Iranin nga pajisja me armë bërthamore, duket se nuk e kanë arritur efektin e tyre në opinionin amerikan.
Nuk duhet harruar se problemet e tilla me të cilat përballet Amerika sot janë probleme gjigante dhe kërkojnë mund e kohë të gjatë për t’i vënë nën kontroll.
Nuk është faji i Obamës pse në kohën kur mori mandatin e presidentit, ekonomia po kolapsej, papunësia po rritej, kërcënimet nga terrorizmi gjithashtu si dhe strategjia e luftës në Irak e Afganistan nuk po jepte rezultate të kënaqshme.
Obama duke ndarë 787 bilionë dollarë ndihmë nga paketa stimuluese duke e shpëtuar vendin nga katastrofa ekonomike që nuk ishte parë qysh në kohën e depresionit të madh më 1930.
Megjithatë kritikët kanë shprehur qartë se Obama nuk do të duhej t’ju ndihmonte me fonde të shtetit bankave dhe kompanive gjigante ekonomike, të cilat nga neglizhenca dhe papërgjegjësia e tyre krijuan kushte e predispozita që ekonomia të pësonte kolaps.
Shkalla 10 për qind e papunësisë rrinë si çekan mbi kokën e presidentit i cili pati premtuar që jo vetëm ta zbret atë po të krijojë edhe mbi dy milionë vende të reja të punës.
Presidenti Obama vëmendje të veçantë i ka kushtuar politikës së jashtme të shtetit ku nëpërmjet vizitave e fjalimeve që ka mbajtur në Evropë, Turqi, Kajro, Afrikë e gjetiu ka arritur që ta përmirësojë imazhin e dëmtuar në masë të Amerikës, duke i shpërndarë kështu shumë re të zeza që kishin mbuluar qiellin e kaltër amerikan. Fjalimet e tij janë mirëpritur gjithandej si një fillim i ri, sidomos në botën arabe.
Nga frontet e luftës bëhet e ditur se në Irak edhe pse situata ende është e brishtë ajo ngadalë po normalizohet. Vrasjet dhe dhuna është në një shkallë shumë më të vogël se sa një vit më parë. Zgjedhjet po përgatitet që të mbahen këtë pranverë dhe trupat amerikane dhe të Aleancës do të fillojnë të tërhiqen gjatë kësaj vere. Kjo ndoshta shënon edhe progresin më të madh të administratës së Obamës gjatë vitit të parë.
Përderisa situata në Afganistan ka qenë e rënduar. Korrupsioni i madh në organet më të larta të shtetit afgan si dhe grupet terroriste të Al Qaidas kanë bërë misionin amerikan shumë të vështirë për sukses. Megjithatë Obama ka një strategji të re (jo si ajo e veriut të Mitrovicës, qoftë larg!), duke e siguruar kufirin në të dyja anët dhe duke dërguar edhe 30 mijë trupa shtesë, shkatërrimi i grupeve terroriste, promovimi i qeverisë afgane që ajo të jetë më e përgjegjshme, më efikase, ndërtimi dhe zgjerimi i forcës se sigurisë etj.
Presidenti Obama ka punuar edhe në ripërtëritjen e marrëdhënieve me Rusinë që edhe ashtu janë të ftohta edhe pse administrata që ai drejton ka bërë disa lëvizje pozitive në drejtim të normalizimit. Rusia si gjithnjë dëshiron të jetë larg ndikimi amerikan, sidomos në Europë. Ajo me gjithë fuqinë është duke e penguar sistemin amerikano-europian kundër sistemit raketor të Iranit për shkak të politikës së Uashingtonit për negociatat mbi zvogëlimin e kontrollit të armëve bërthamore.
Duke dashur të dimë nëse gjatë këtij viti ka pasur ndryshime në politikën zyrtare amerikane të administratës së Obamës ndaj Kosovës, shihet qartë se politika amerikane vazhdon të jetë e përkushtuar ndaj Kosovës, duke e mbështetur atë në zhvillimin e saj ekonomik dhe të demokracisë së shtetit të së drejtës. Ajo gjithashtu po vazhdon të lobojë për njohje të reja ndaj Kosovës si dhe forcimin e lidhjeve mes Kosovës dhe shteteve që kanë njohur pavarësinë e saj.
Luftimi i terrorizmit mbetet një prej prioriteteve kryesore të administratës së Obamës. Deri më tash janë shkatërruar disa celula të terroristëve, janë vrarë shumë të tjerë, ndër ta edhe figura udhëheqëse, si dhe kanë dështuar disa tentime terroriste për sulme ndaj Amerikës, ai më i fundit në ditën e krishtlindjeve ku Abdulmutallab kishte planifikuar ta hudhte në erë aeroplanin e kompanisë ajrore Northwest 253 që vinte nga Amsterdami në Detroit.
“Guatamo bey” vrima e zezë e Kubës duhet të mbyllet dhe imazhet e tij të shlyhen përgjithmonë. Edhe përkundër premtimeve të presidentit Obama se do të mbyllej pas një viti, ai ende qëndron i hapur, ku rreth dyqind të burgosur ende vazhdojnë të mbahen aty, pesëdhjetë prej të cilëve flitet se do të mbahen përgjithmonë. Ky është dështimi më i madh i Obamës gjatë vitit të parë si president i Amerikës.
Pa marrë parasysh kritikat ndaj Obamës si dhe ngecjet e aty-këtushme të administratës së Obamës, presidenti amerikan Obama ka treguar një udhëheqje të ndërgjegjshme me kompetencë të politikës amerikane si brenda ashtu edhe jashtë shtetit.