Telegrafi

Viti i kontratave qindramilionëshe

Viti 2015 do të jetë viti i nënshkrimit të kontratave të mëdha nga Qeveria e Kosovës, kontrata këto që nuk pritet të krijojnë obligime e as shpenzime për Qeverinë, pasi do të jenë investime të jashtme që pritet të bëhen në Kosovë, shkruan sot Koha Ditore.

Në tremujorin e parë të vitit 2015, Qeveria e Kosovës do të nënshkruajë kontratën me konsorciumin francez për investimin e 409 milionë eurove në Brezovicë.

Kurse nëse Kuvendi e Qeveria ia japin dritën jeshile ofertës së vetme për termocentralin “Kosova e Re”, që ka ardhur nga kompania “Contour Global”, atëherë do të nënshkruhet edhe kontrata e dytë e madhe për këtë vit.

Edhe kjo kontratë parasheh investimin që do të bëhet nga kompani private, por kësaj radhe jo në turizëm, por në ndërtimin e një termocentrali 600 megavatesh.

Përveç këtyre, janë shumë projekte të tjera në sirtarët e Qeverisë që presin përgjigje tash e disa vjet. /Telegrafi/