Në shkollën e mesme profesionale “Jonuz Zejnullahu” në Komunën e Vitisë, janë evidentuar tre emra të personave të vdekur në listat e votuesve.
Kjo është vënë re nga votues familjarë të të ndjerëve. Hasan Saqipi thotë se kjo nuk është hera e parë që ndodhë një gjë e tillë.
“Që të tre familjarët kanë vdekur në spital dhe përkundër se kemi bërë ankesë, emrat e tyre nuk janë larguar”, ka thënë Saqipi për RTV Dukagjini.
Një gjë e tillë u vërtetua edhe nga menaxheri i qendrës Nijazi Lutfiu.
“Procesi i votimit ka shkuar me rregull, e edhe pajisja me materialet e nevojshme. Është një rast ku është raportuar se janë parë emra të familjarëve të vdekur”, ka deklaruar Lutfiu.
Në Komunën e Vitisë, Qendrat e Votimit janë hapur me kohë dhe deri më tani nuk është raportuar për ndonjë incident tjetër. /Telegrafi/