Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë për 0.3% në muajin qershor 2017, krahasuar me muajin maj 2017, ka bërë të ditur Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) në “Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit” (IHÇK), të cilin e ka publikuar për muajin qershor të këtij viti.
Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit te nëngrupet e COICOP-it: pemë 5.6%; rrymë, gaz dhe lëndë djegëse të tjera 17.9%, ngritje e çmimit të energjisë elektrike me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0.9% në IHÇK.
Ngritja, sipas ASK-së, u neutralizua kryesisht nga rënia e çmimeve të konsumit te nëngrupet: qumësht, djathë dhe vezë -2.2%; perime -8.2%; përdorimi i pajisjeve për transportin personal -0.6% me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej -0.6% në IHÇK.
ASK ka bërë të ditur se shkalla e inflacionit e matur në muajin qershor 2017 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ishte 1.9%.
Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë për 1.9% në muajin qershor 2017, krahasuar me muajin qershor 2016. Në këtë periudhë vërehen disa ndryshime të çmimeve të artikujve dhe shërbimeve te grupet dhe nëngrupet e COICOP-it.
Ngritje e çmimeve të konsumit vërehet te nëngrupet: mish (1.2%); qumësht, djathë dhe vezë 1.4%; pemë 12.4%; sheqer dhe ëmbëlsira 6.2%; kafe, çaj dhe kakao 9.4%; ujë mineral, pije joalkoolike, lëngje nga pemët dhe perimet 1.3%; duhan 5.6%; rrymë, gaz dhe lëndë djegëse të tjera 16.3% – ngritje e çmimit të energjisë elektrike për 25.4%, krahasuar me tarifat verore të muajt qershor të vitit 2016; përdorim i pajisjeve për transportin personal 3.8%-ngritje e çmimit të naftës dhe benzinës, me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 2.1% në IHÇK, thuhet në komunikatën e ASK-së.
Ngritja u neutralizua, kryesisht nga rënia e çmimeve në këtë periudhë te nëngrupet blerje e automjeteve -1.7%; pajisje audio-vizuele, fotografike për përpunimin e informatave -6.8%; me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej -0.2% në IHÇK.
Zbatimi i tarifave të reja me pakicë të energjisë elektrike për konsumatorët familjarë nga 1 prilli i vitit 2017 të aprovuara nga Zyra e Rregullatorit për Energji të Republikës së Kosovës të datës 31 mars 2017 është shkaku i ndryshimit të çmimit të energjisë elektrike në çdo muaj të kalkulura nga Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KES/CO).