Dukesha Kamila dhe Princi Charles 19 marsin e 2016 e kaluan në Kosovë.
Ditën e kishin nisur duke takuar presidenten e atëhershme, Atifete Jahjaga, e cila i kishte dekoruar mysafirët me urdhrin për Paqe, Demokraci dhe Humanizëm “Dr. Ibrahim Rugova”.
Këta ishin edhe për homazhe para memorialit për të zhdukurit, e u emocionuan nga rrëfimet e nënave gjakovare, njofton Klan Kosova.
Pastaj, Princi i Uellsit pati vizituar shtabin e Forcës së Kosovës në Prishtinë, ku vendosi lule në monumentin e pjesëtarëve që shërbenin në KFOR dhe 14 ushtarakëve të Britanisë së Madhe që kishin vdekur në shërbim të paqes gjatë operacioneve në Kosovë.
Në anën tjetër Dukesha e Cornwall-it pati takuar të mbijetuarat e dhunës seksuale bashkë me Presidenten e vendit, Atifete Jahjaga.
Britanikja në axhendë pati edhe një organizatë të grave në Fushë Kosovë e cila punonte me fëmijët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptas, The Ideas Partnership, e nga këtu nuk u largua pa dhurata. Mori një çantë me produkte që i bënin gratë e organizatës.
Vizita nuk përfundoi pa shkuar edhe në Prizren. Princi Charles, pa dukeshën, ishte te ura e gurit, e më pas gjithë pjesën e vjetër të qytetit, që njihet si Qendra historike
Mysafiri mbretëror ndaloi në xhaminë e “Sinan Pashës” e në kishën ortodokse.
Ky nuk e la pa e vizituar edhe kishën katolike, e këtu princit iu servua ushqim tradicional dhe përshtypje i bëri flija.
Sa e kreu me institucione fetare, Charles, shkoi në Konferencën Ndërfetare, ku edhe mbajti fjalim. E gjithë vizita e para pesë viteve ishte shoqëruar me masa të rrepta të sigurisë.