Distria Krasniqi, është një tjetër sportiste që e ka bërë krenare Kosovën në vitin 2016.
Xhudistja pejane, krahas suksesit historik të Majlinda Kelmendit, ka shkëlqyer në vitin që shkoi pasi që ia doli të prek titullin e kampiones së Evropës U-23.
Krasniqi, e cila përveç titullit të Evropës, ka fituar edhe medalje tjera të rëndësishme në arenën ndërkombëtare, në një intervistë për KosovaPress, është shprehur shumë e lumtur me të arriturat e saj në vitin 2016.
Ajo thotë se brenda vitit 2016, ka arritur të arrijë objektivin e saj, titullin e Evropës.
“Viti 2016 ka qenë një vit shumë i suksesshëm edhe për mua pasi që arrita të bëhem kampione e Evropës deri nder moshën 23 vjeçare, por ka qenë vit i suksesshëm duke marrë parasysh edhe medaljet që i kam fituar në Grand Prix dhe ky vit cilësohet si viti më i suksesshëm jo vetëm për xhudon por për gjithë Kosovën për shkak të Lojërave Olimpike”, ka thënë Krasniqi.
Ajo ka folur edhe për objektivat në vitin 2017. Titulli i Evropës dhe Botës tek senioret janë synimet e kampiones së Evropës.
“Jemi duke punuar shumë në atë aspekt që synimi për 2017 është që të marrë medalje në Kampionatin e Evropës për senior dhe në Kampionatin Botëror për senior”, tha ajo.
Distria flet edhe për Olimpiadën e ardhshme “Tokio 2016”. Xhudistja pejane synon që të jetë pjesë e Olimpiadës së radhës, edhe pse sipas saj, ende është herët, por ajo është e bindur së më punë mund ta sigurojë një vend për lojërat e ardhme Olimpike.
“Shpresoj që të jem në ‘Tokio 2020’, do të punojë në atë aspekt. Ajo është edhe katër vite, kështu që nuk i dihet”, tha Krasniqi.
Ajo është e bindur se edhe në vitin 2017 sporti i xhudos do t’i sjell Kosovës medalje nga garat evropiane e botërore.