Site icon Telegrafi

Viti 2015 me më shumë shpenzime se sa të hyra

Dogana dhe Administrata Tatimore e Kosovës janë dy institucione nga të cilat varet mbushja e buxhetit të shtetit. Kjo mënyrë e mbledhjes së të hyrave konsiderohet se nuk është njëra nga format më të mira, por që aktualisht është zgjidhja e vetme.

Sipas ministrit të Financave, Avdullah Hoti, Dogana e Kosovës vitin 2015-të ka përmbyll me të hyra për 9 për qind më shumë se në vitin 2014-të. Ndërsa ATK-ja ka realizuar 12 për qind më shumë të hyra se sa në vitin 2014. Ndërsa, për nëntë muaj të vitit 2015, Qeveria ka shpenzuar 1,025.81 euro, apo 6 për qind shpenzime më shumë se sa në nëntëmujorin e vitit 2014.

“Sivjet të hyrat do të jenë 9 për qind më të larta në dogana krahasuar me vitin e kaluar dhe 12 për qind nga Administrata Tatimore e Kosovës krahasuar me vitin e kaluar. Ne sivjet mbledhin 113 milionë euro më shumë se sa që kemi mbledhur vitin e kaluar. Në këtë rritje doganat e Kosovës kontribuojnë me 77 milion euro , pra prej një rritje që ka qenë vetëm 34 milionë euro në vitin 2014 “, ka thënë Hoti gjatë raportimit të fundvitit.
Ndërsa , drejtori i Doganave të Kosovës, Lulzim Rafuna është zotuar se do të përmbush projeksionet e të hyrave. Sipas tij për vitin 2015 është planifikuar të ketë rreth 946 milionë euro. “Deri më sot, ne kemi arritur që te kemi 928 milionë të hyra të mbledhura…Pritjet tona janë që deri në fund të vitit sa na kanë mbetur 4 ditë, ne do të arrijmë projeksionet do ta tejkalojmë realizimin e të hyrave”, tha Rafuna.

Zyrtarët e ATK-së, nuk kanë pranuar të japin përgjigje për realizimin e të hyrave. Por bazuar në raportin e nëntëmujorit të Ministrisë së Financave, ATK gjatë nëntëmujorit të vitit 2015 ka arkëtuar të hyra në vlerë prej 246.20 milionë euro. Në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar praqet një rritje prej 11%.

Ndërsa sipas raportit të fundit të Bankës Qendrore të Kosovës, të hyrat buxhetore deri në shtator 2015 arritën vlerën bruto prej 1.066 miliardë euro. Në të njëjtën periudhë,sipas BQK-së, shpenzimet buxhetore arritën vlerën prej 1.038 miliardë euro që paraqet rritje prej 6.1 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2014. Rrjedhimisht, gjatë kësaj periudhe, buxheti i Kosovës regjistroi bilanc të përgjithshëm pozitiv prej rreth 790 mijë euro krahasuar me bilancin e përgjithshëm negative prej 14.84 milionë euro në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Sa i përket shpenzimeve, pagat e mëditjet dhe subvencionet e transferet shënuan rritje krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2014 ndërsa shpenzimet kapitale dhe mallrat e shërbimet shënuan rënie. Investimet kapitale, të cilat deri në shtator të vitit 2015 përfaqësuan rreth 2 0.5 për qind të gjithsej shpenzimeve, u zvogëluan në 212.8 milionë euro nga 222.2 milionë euro që paraqet rënie prej 4.2 për qind.

Shpenzimet qeveritare për mallra dhe shërbime kanë shënuar rënie për 5.6 për qind dhe kanë arritur vlerën prej 114.1 milionë euro. Në anën tjetër, shpenzimet qeveritare për paga dhe mëditje kanë shënuar rritje prej 9.1 për qind dhe kanë arritur vlerën prej 389.9 milionë euro. Subvencionet dhe transferet po ashtu kanë shënuar rritje për 16.3 për qind dhe kanë arritur vlerën prej 292.4 milionë euro. Rritja e këtyre dy kategorive , sipas vlerësimeve të BQK-së, në krahasim me vitin e kaluar i atribuohet faktit se vendimi i qeverisë për rritjen e pagave dhe pensioneve i vitit të kaluar ka filluar të zbatohet pas tremujorit të parë të vitit 2014.

Borxhi publik, deri në shtator 2015, ka arritur në 719.5 milionë euro nga 550.9 milionë euro sa ishte në shtator 2014, ndër sa si përqindje e PBB-së ka arritur në rreth 12.5 për qind nga 10.2 për qind sa ishte në vitin paraprak. Kjo rritje e borxhit publik i atribuohet kryesisht rritjes së borxhit të brendshëm prej 51.0 për qind i cili ka arritur në 352.3 milionë euro, ndërkohë që edhe borxhi i jashtëm ka shënuar rritje të konsiderueshme prej 15.6 për qind duke arritur në 367.2 milionë euro. /Telegrafi/

Exit mobile version