Telegrafi

Viti 2014 sfidues për ATK-në

Me qëllim të informimit të opinionit publik dhe sigurimit të një transparence maksimale, Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), ka takuar përfaqësuesit nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare në vend, të cilët në vazhdimësi kanë ndihmuar ATK-në drejtë ngritjes së një administrate moderne, të cilët janë njoftuar me të arriturat e këtij institucioni, sfidat dhe planet për të ardhmen.

Drejtori i ATK-së Behxhet Haliti tha se takimet ka për qëllim njoftimin për të arriturat dhe progresin si dhe sfidat gjatë këtij rrugëtimi.

“Me kënaqësi mund të them se progresi i punës së përbashkët gjatë kësaj periudhe ka vazhduar me trendin e njëjtë si dhe tri vitet e fundit, duke rritur nivelin e shërbimeve ndaj tatimpaguesve”, ka pohuar ai.

Haliti po ashtu në këtë takim i ka njoftuar miqtë e ATK-së, se këtë vit ATK, ka përfunduar digjitalizimin e të gjitha zyrave regjionale, duke krijuar qendra të shërbimit të tatimpaguesve për ofrimin e shërbimeve të shpejta dhe profesionale.

Një fakt, i cili sipas tij, është evidentuar dhe në raportin e bërjes së biznesit vitin e kaluar edhe këtë vit, si një prej administratave që ofron shërbime kualitative.

Ndërsa ka folur dhe për sfidat me të cilat ballafaqohen ATK dhe Dogana, si në ngritjen e kapaciteteve e po ashtu dhe në realizimin e projeksioneve të të hyrave. “Situatat e përgjithshme në Kosovë në vitin 2014, për dy agjencionet dhe për ATK-në dhe për doganat, ka paraqitur një sfidë në dy drejtime. Dhe në drejtimin e zhvillimit dhe ngritjes së kapaciteteve që është pritur nga ne. Por njëkohësisht dhe në drejtimin e realizimit të projeksioneve të hyrave për çka ne si dy agjencione në mënyrë permanente monitorohemi. Për ATK-në mund të them se nga muaji prill, maj, ne kemi filluar të përgatitemi me disa grupe punuese, në mënyrë që të menaxhojmë situatat, por edhe të fillojmë një nivel tjetër të zhvillimit nga 2015-ta, duke krijuar grupet punuese me asistencë të FMN-së, apo dhe komponentës nga Komisioni Evropian”, tha ai.

Ndërsa përfaqësuesi i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), Enrico Aav tha se përparimet që ATK, ka bërë viteve të fundit janë të dukshme, mirëpo ende mbetet punë për tu bërë.

“Fondi Monetar Ndërkombëtar ka një histori të gjatë bashkëpunimi me Administratën Tatimore të Kosovës. Dhe me duhet ta them se ky është vërtetë një bashkëpunim shpërblyese, sepse keni parë shumë përparime gjatë vitit të fundit, dhe jam i lumtur për këtë. ATK tani është në një pozicion për ta çuar nivelin e saj opercional dhe aftësitë në shkallë shumë më të larta. Planifikimi i strategjisë së re është në vazhdimësi dhe jemi të zënë duke punuar në këtë fushë. Ka ende shumë vend, për përmirësim në Administratën Tatimore dhe do ta sugjerojmë ATK për të punuar në këtë”, tha ai.

Ndryshe, planet e ATK-së për të ardhmen janë vazhdimi i punës drejtë zëvendësimit të sistemit informativ, zhvillimi i mëtejmë i shërbimeve elektronike, ku synim mbetet lansimi i shërbimit elektronik, i quajtur “Fatura e TVSH-së E-Inovoicing”, aprovimi i strategjisë së ATK-së 2015-2020 si dhe ngritja e kapaciteteve në fushën e menaxhimit të rrezikut. /Telegrafi/