Filluan edhe ditët e vitit 2014, me plot shpresë e gëzim, duke i uruar njëri-tjetrit festën e duke pritur ditë më të mira. Viti 2013 karakterizohet me pazaret e Brukselit, ku udhëheqësit tanë gjatë gjithë kohës thoshin se nuk do ketë bisedime politike, por vetëm teknike. Më pas kjo doli të jetë e pavërtetë, sepse filluan edhe bisedimet politike nga të cilat u krijua Asociacioni i Komunave Serbe.
Qeveria jonë nuk jepte asnjë sqarim për të ashtuquajturat “bisedime teknike”. Ndoshta ata nuk e shihnin të rrugës që të arsyetoheshin para 800,000 shqiptarëve të dëbuar; 15,000 të vrarëve.
U krijua Asociacioni dhe në rrugë është edhe krijimi i Rebublika Srpskas në Kosovë, ngjashëm me Bosnjën. Donin që t’ju falnin vendet e rezervuara serbëve në mënyrë që t’i siguronin vetes edhe një mandat. Ata po favorizojnë pakicën në kurriz të shumicës.
U zhvilluan zgjedhjet, data e të cilave u caktua nga vet sekretari në regjimin e Milosheviqit, tani kryeministër serb, Ivica Daçiq.
Zhvillimi ekonomik mbeti i njëjtë me 60 për qind të papunë e 35 për qind në varfëri ekstreme. Gjendja ekonomike në vend vazhdon të jetë e rëndë dhe Qeveria nuk është e vetëdijshme për këtë. Trendët ekonomikë konsiderohen të jenë në një status quo, me shenja përkeqësimi gjatë vitit të fundit.
U shit KEK-u, e u provua edhe me PTK-në. Ka rënie ekonomike, rënie të cilësisë dhe mundësi më të vogla për punësim. Kështu pohojnë njohës të çështjeve ekonomike, të cilët flasin për gjendjen ekonomike në vend dhe tendencat e kosovarëve për të dalë jashtë vendit në kërkim të një jete më të mirë.
Tmerri i vitit ndodhi në Hungari dhe në Francë, ku shqiptarët duke dashur të largohen nga varfëria, provuan tmerrin në kampet hungareze dhe urat në Lion. Nuk ka perspektivë të qartë për njerëzit se çka i pret në të ardhmen dhe se a do të hapen vende të reja të punës për ta, në kohën kur kemi një rënie të optimizmit ekonomik, politik dhe social në përgjithësi në Kosovë.
Arsimi është i partizuar skajshmërisht. Fakulteti i Mjekësisë prodhon 1000 mjekë për një vit akademik. Ky është vet mjerimi. Krimi po infekton çdo instancë apo degë të këtij shteti.
Shpresojmë që ky vit të jetë një vit më i mirë, e urimi im për politikanet do të ishte se gjykatë më e lartë se të gjitha gjykatat tjera është gjykata e ndërgjegjes!