Site icon Telegrafi

Viti 20(01)10, ndërmjet kërcënimeve dhe hipokrizisë!

Nëse e pranojmë tezën se dita e mirë shihet në mëngjes, atëherë unë ankohem se, këtë lloj të ditës në fillim të vitit të ri dhe të vjetër, nuk arrita dot ta shoh, përkundër që fillim e mbarim isha prezent në shtetin e Maqedonisë. Tash, ndokush me të drejtë mund të më thotë, është normale që këtë fillim të mbar të mos e kishe parë, kur dihet mirëfilli i të kaluarës së zymtë që ndodhi në këtë vend pa kuvend e pamend!

Kalendarët tona gregoriane, ende pa përfunduar viti 2009 i ndërruam, por edhe pasi përfundoi ky vit, mendësia e qeverisjes dhe përditshmëria e qytetarëve, edhe më tej u thellua dhe batisi në kriza dhe labirinte tendencioze e mashtruese. Kësisoj, në pyetjen e gazetarëve drejtuar politikanëve se, ku do e prisni vitin e ri, ashtu ata të rehabilituar dhe me ca buzëqeshje sporadike që pa dyshim ishin ironike, pohuan se, “shikoni përskaj gjithë këtij viti të lodhshëm dhe të shumë ngarkuar, këtë ndërrim të mot-moteve do e kalojmë në shtëpi me familjen, duke krijuar kështu një ambient të ngrohtë dhe përplot harmoni në familje”.

Jo vetëm unë, por të gjithë ata që din dhe duam të vlerësojnë objektivisht, me këtë rast dhe pohim të tyre, në masë të madhe do të habiten. Si është e mundur që njeriu të paktën për një çast të qëndroj i rehabilituar dhe i kënaqur me familjet e tyre, duke e ditur se po këta të besuarit e popullit, që u zotuan që vajin do e shndërrojnë në buzëqeshje, urinë në ngopje, si dhe jetimët e përmalluar për prindërit e tyre që dhanë jetën për liri, në fëmijë të hareshëm e të gëzuar! Por, në vend të këtyre shndërrimeve pozitive, tash pas vitit 2009, disa përgjegjës në këtë shtet, aspak të përgjegjshëm, na kujtuan vitin 2001, njëri duke na përmendur paralajmërimet e Al-Kaedës, për ndonjë sulm të mundshëm në Maqedoni dhe, tjetri duke na bërë neve dhe atyre me dije se, nëse nuk do të zgjidhet statusi i ushtarëve të lirisë, mund të përsëritet viti 2001.

Këto dy paralajmërime, që realisht janë kërcënim për sigurinë dhe rehatin e qytetarëve, me automatizëm na kujtojnë vitin 2001, vitin e rëndë dhe shpresues për shqiptarët dhe, pretekst e njollosje tendencioze për fenë islame në përgjithësi (Rasti i shkatërrimit të dy kullave binjake). Edhe pse, luftën e 2001-shit, në përgjithësi e përjetuam rëndë, veçanërisht popullata e Komunës së Likovës dhe e malësisë së Tetovës, prapë në fund të dhimbjeve tona shpirtërore vezullonte dhe kumbonte krenaria jonë kombëtare për një të ardhme më të begatshme. Fatkeqësisht, edhe ndjenjat që shpeshherë janë të pagabueshme e nuk tradhtojnë kurrë, pas vetëm katër viteve e pamë se, edhe ndjenjat tona ishin shndërruar në ndjenja të hutuara që në vazhdimësi gjeneronin pasaktësi! Ndërkaq, edhe pse kaloi pothuajse një dekadë, më në fund dikujt ia kujtua se, për të arritur diçka në këtë shtet, po dashka me përdor metodën e kërcënimin apo të “ramjes grusht tavolinës”.

Por, kush mund të më bind se, edhe nëse si metodë të zgjidhjeve të shumë probleme dhe padrejtësive do e përdorim krenarin dhe veprimtarin e vitit 2001, e nuk do na përsëritet prapë “PAS viti 2001”! Jo të nderuar, ajo që ndodhi iku dhe në vazhdimësi na shoqëroi, edhe pse dikush nuk deshi fare ta dëgjoj. Në këtë krenari kombëtare u koritën një pjesë bukur e madhe e intelektualëve, u bë shoshitja e patriotëve teorik dhe praktik, u shkatërruan shumë shtëpi në Sllupçan, Vaksincë, Orizare, Haraçinë e gjetke, u vranë ushtarë, civil shqiptarë, i vranë babë e birë para syve të botës në Poroj, e prapë vetëdija kombëtare në nivel të udhëheqjes mbeti ajo që ishte më parë, prapë ata që nuk ishin as intelektual, as luftëtarë i pushtuan postet të cilët i gravitonin privilegje të shumta, prapë ish-ushtarët e thjeshte për një vend pune u deshtë që t’i “nënshtrohen” atyre që luftën e përdornin vetëm si përfitim material dhe, atyre që luftën ishin frikuar ta shohin, edhe në ëndërr. Me rëndësi ishte që pas luftës, të ishe një maratonist i shkëlqyer për partitë politike, kjo pra, ishte me rëndësi, bile në një kohë kur sundonte një parti pa legjitimitet të popullit shqiptarë, ishte marre e madhe të lajmërohesh se ke kontribuar diçka për luftën e 2001-shit, edhe pse në radhët e asaj partie politike, kishte njerëz që kishin marrë pjesë ndershmërisht në këtë luftë!

Kështu, këto lëmshe politike dhe ushtarake ma kujtuan betejën e Koshares, ku për çlirimin e atij vendi të bekuar, apo për thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar, vepronte FARK-u dhe UÇK-ja. Por, po i pyete për divergjencat e tyre rreth asaj beteje të lavdishme, gjithsecili do të përgjigjet, “pavarësisht divergjencave, ne së bashku i shporrëm armiqtë barbar serbo-sllav”. Ndërsa te ne, aq shumë ishin të mëdha divergjencat, sa që i lejuam dhe i dhamë mundësi palës tjetër të luajt shesh-besh me ndjenjat tona.

Pas gjithë mposhtjeve politike e njollosjeve ushtarake, nuk e di se kujt i paska mbetur të paktën një qelizë, që nuk ka turp të mendoj për kthimin e vendit në vitin e krenarisë kombëtare (lexo: kujtone, por vetëm mbushuni me mend e ecni përpara), krenari e cila zgjati vetëm katër vite, që për mendimin tim ishte zgjatje e bollshme, kur i merr parasysh disa Komuna dhe qytete shqiptare që këtë luftë të lavdishme e panë vetëm si një insert të shkurtët nëpër ekranet e tyre televizive, e që menjëherë pas luftës u paraqiten si “shpëtimtarë të kombit”, ku Komunën e Likovës e lanë në cilësinë e muzeut, bile tash me ndaljen e dritave publike, kjo Komunë e mori pamjen e një muzeu shumë të lasht, që do e josh për ndonjë hulumtim të mundshëm, edhe Kuzmanin! Në këtë vit, do të jemi të kërcënuar, edhe prej Al-Kaedës!

Po çka i bëri, more Maqedonia Al-Kaedës? Mos u friko se Al-Kaeda nuk merret me ty, je shumë e vogël, aq e vogël sa që nuk shihesh, e që në vend të mikroskopit, kjo organizatë tashti po e përdorka vetëm teleskopin, pra mos u tut se nuk të sheh. Fundja, i keni Alfat që do i dalin zot këtij vendi! Por, jo, jo, as njëra as tjetra nuk do të ndodh, porse kjo nuk është gjë tjetër, pos që të filloj edhe në Maqedoni të krijohet një pretekst artificial për luftimin e terrorizmit islamik, e që me automatizëm aludohet për shqiptarët, sepse siç dihet, të gjithë shqiptarët në këtë vend i përkasin besimit islamik. Mjaft më, me pretekste artificiale të vet sajuara, mjaft më, me leksione dhe informacione të Izraelit, ngase më në fund ju do të pësoni. Kujdes! O ju të cilët keni krizë të identitetit kombëtare dhe fetarë, zgjohuni o ju të cilët në aspekt kombëtare dhe fetare jeni të pastër si loti!

Exit mobile version