Në këtë kohë mitingjesh e protestash, pakkujt i shkon mendja se ç’gjurmë lënë mënyrat sesi bëhen ato tek fëmijët. Si ndihen ata dhe a duken në sytë e tyre ashtu siç duhet të jenë, mjete të shprehjes së lirisë dhe demokracisë. Këto pikëpyetje e kanë detyruar shkrimtarin e madh Dritëro Agolli, që para nëntë vjetësh të ulej e të hidhte në letër një tregim që rridhte nga një bisedë që ka bërë me mbesën e tij për mitingjet.
Teksa bashkëshortja e Dritëroit, Sadija, përpiqet që ta qetësojë frikën e Anës 10- vjeçare, prej mitingjeve të dhunshme që ka parë, duke i dhënë shpresën se nuk do të ketë më të tilla në shekullin që do të jetojë ajo, ai preferon t’i rrëfejë të vërtetën mbesës së tij. Shkrimtari është i bindur se mitingjet janë të nevojshme si mjete të demokracisë, ndaj kërkon ta edukojë mbesën që jo vetëm t’i pranojë ato, por edhe të jetë pjesëmarrëse, duke shprehur në këtë mënyrë sesi do të donte të ishin këto mitingje; paqësore, si një shëtitje në kopshtin zoologjik.
Dhe, kur mbesa e pyet se kush do t’i bëj këto mitingje të tilla, shkrimtari i thotë prerë: “Ti me shoqet e tua do t’i bësh!”. Ky është një lloj amaneti i shkrimtarit, jo vetëm për mbesën e tij, por për gjithë brezin e ri, që të mos ketë mitingje të dhunshme, nga ato që iu fusin frikën fëmijëve. Me një nuancë të ngrohtë humori, por plot dashuri dhe respekt për botën e fëmijëve, Dritëro Agolli në këtë dorëshkrim të vitit 2000, jep një mesazh edhe për protestat e mitingjet aktuale. Le të shohim për më tepër se çfarë ka shkruar Dritëro Agolli:
“Një mbrëmje, tek shikonim në televizor. Më tërhoqi vëmendjen një kuriozitet shkencor që thoshte se njeriu në këtë shekull të ri do të jetojë më gjatë. Kështu jeta mesatare sipas kuriozitetit shkencor do të qenkësh rreth 120 vjetësh. Unë për veten time nuk u gëzova, as ime shoqe nuk pati ndonjë ngazëllim të dukshëm, pasi frutat e këtij revolucioni shkencor të jetëgjatësisë nuk do t’i hamë dot. Derisa të bëhet ky revolucion, kockat tona do të jenë tretur në ndonjë mëllagë apo ndonjë qiparis. Ne u gëzuam për Anën, mbesën tonë, që në prillin e ardhshme të 2001- shit mbush 10 vjet. Ajo dhe miliona Ana të tjera në botë me siguri që do të jetojnë 120 vjet!
Tek kuvendonim burrë e grua rreth këtij kurioziteti joshës, Ana i la për një çast detyrat shkollore, fërkoi duart duke u hedhur si majmunkë dhe thirri:
– Sa mirë!
Pastaj përnjëherësh qëndroi me sytë drejt nesh, duke u kthyer e tëra në një pikëpyetje:
– Po mitingje do të ketë atëherë?
Ne vështruam njëri- tjetrin.
– Nuk do të ketë – tha prerë ime shoqe për ta qetësuar mbesën, duke ditur se ka aq frikë nga mitingjet, sa kur i dëgjon, vrapon e mbyllet brenda.
– Mitingje edhe mund të ketë – thashë unë – duke e zbutur mendimin kategorik të gruas sime për mungesën e këtyre mjeteve të luftës demokratike.
E dëgjon si thotë gjyshi. Do të ketë mitingje! – u dëshpërua Ana dhe gati sa nuk fillojë të qajë.
– Ama edhe ti! Pse e bën të qajë? Nuk do të ketë moj zoçkë, nuk do të ketë! – iu kthye ime shoqe mbesës, pasi më fshikulloi me shufrën e vështrimit të saj.
– Unë them se do të ketë!
– E sheh? Gjyshi përsëri thotë se do të ketë mitingje. Ti më gënjen, që unë të mos qaj! – iu ankua mbesa gjyshes.
Pas kësaj ime shoqe filloi të më shajë, që nuk rrija e dëshpëruar Anën me këta të flamosur mitingje.
– S’u ngope me këta mitingje, do t’i shpesh këto mitingje sa jot mbesë të bëhet 120 vjet?
U shkula gazit me marrëzitë që dëgjoja. Megjithatë këmbëngula në mendimin tim për ekzistencën e mitingjeve, veçse për të qetësuar mbesën shtova:
– Mitingje do të ketë por do jenë tjetër lloj. Fjala vjen do të jenë si shëtitje në një kopsht zoologjik.
– Edhe ministritë si kopsht zoologjik do t’i vështrojnë? Nuk do të hedhin gurë dhe shishe të ndezura?- tha mbesa.
Ia dhashë përsëri gazit. Këtë herë gazi e përfshiu edhe time shoqe. U gajas dhe Ana.
– Si në kopshtin zoologjik!- përsërita unë duke fshirë lotët.
Po këta kryetarë të partive, do të jenë kur të bëhem unë 120 vjet?- pyeti sërish Ana.
– Këtu të siguroj 100 për qind se nuk do të jenë. – thashë.
Po kush do t’i shpjerë mitingjet si në kopshtin zoologjik?
– Ti me shokët e shoqet e tua. Po pusho tani dhe mbaro detyrat- urdhërova unë se vargu i pyetjeve nuk do të kishte fund, ashtu si çdo varg pyetjesh nga fëmijët.
Mbesa ime në këtë varg pyetjesh numëroi edhe plot liderë partish, duke vënë para çdo emri fjalën ‘xhaxhi’, por unë nuk po them se cilët ishin këta ‘xhaxhallarë’.
Dritëro Agolli, 16 dhjetor 2000″. /Shqiptarja/