Një ekspozitë hedh dritë mbi mënyrën se si udhëtimet e Jean-Michel Basquiatit në Engadin të Zvicrës lanë gjurmë në pikturat e tij.
Nga: Lucy Davies / The Financial Times
Përkthimi: Telegrafi.com
Kur mendon për Jean-Michel Basquiatin, Nju-Jorku të vjen në mendje. Pak artistë mishërojnë ritmin e vrullshëm të qytetit, zhurmën e sirenave dhe energjinë e tij, veçanërisht subkulturën e Anës së Poshtme Lindore [Lower East Side]. Pikturat e tij me ngjyra të ndezura ndërlidhen me linjat e metrosë, qiellgërvishtësit dhe tabelat e ndryshme.
Megjithatë, një ekspozitë e re në Galerinë “Hauser & Wirth” në Shën Moric këtë muaj, vërteton se Basquiati u frymëzua edhe nga një peizazh krejt tjetër – ai i Luginës Engadin në Zvicër. Malet, sportet dhe traditat e saj u bënë pjesë domethënëse e gjuhës së tij vizuale. Madje edhe salsiçja lokale [Bratwurst] shfaqet në punimet e tij.
Lexo po ashtu: Shkëlqimi kaotik i artistit Jean-Michel Basquiat
Basquiati udhëtoi për herë të parë në Zvicër në vitin 1983, me ftesë të galeristit Bruno Bischofberger, i cili ishte bërë përfaqësues i tij një vit më parë dhe e mbajti këtë rol deri në vdekjen e parakohshme të artistit nga Bruklini pesë vjet më vonë, kur ishte vetëm 27 vjeç. Ekspozita është pjesërisht një homazh për marrëdhënien e tyre të mirë dhe të ndjeshme.
Në atë kohë, Basquiati ishte ende nën efektin e ekspozitës së tij të parë personale të vitit 1982, kur të gjitha pikturat e tij u shitën në natën e hapjes, duke i siguruar atij qindra mijëra dollarë brenda disa orësh. Në një çast ai vidhte ushqime, në tjetrin pikturonte me kostume Armani dhe shumë shpejt krijoi një varësi prej 500 dollarësh në ditë ndaj heroinës.
Vizitat e tij vazhduan – rreth dymbëdhjetë herë gjithsej. “I tregova gjithçka që kishte rëndësi për mua, dhe me kureshtjen e tij të pashuar, ai përthithi gjithçka që ishte e re për të”, shkruan Bischofberger në katalog. Basquiati qëndroi si në shtëpinë familjare të Bischofbergerit në Kusnaht, në bregun lindor të liqenit të Cyrihut, ashtu edhe në shtëpinë e tyre të pushimeve – një shtëpi e verdhë e quajtur “Çesa Lodisa” në Shën Moric.
Qëkur një hotelier vendas me emrin Johannes Badrutt bindi disa turistë anglezë të kalonin dimrin me të në vitin 1864 (më parë Shën Morici ishte një destinacion veror), ky grup fermash të vjetra prej guri, kullash kishtare dhe pyjesh me pisha të mbuluara nga bora, ka tërhequr një turmë të pasur dhe të njohur. Douglas Fairbanks, Brigitte Bardot dhe Shahu i Iranit ishin disa nga ata që pushuan aty.
Engadini ka një histori të gjatë të frymëzimit të artistëve dhe shkrimtarëve: Friedrich Nietzsche shkroi aty veprën Kështu foli Zarathustra; Thomas Mann e quajti atë “destinacioni më i bukur në botë” dhe familja Giacometti jetoi në Malojën aty pranë – si Alberto ashtu edhe i ati i tij, Giovanni, pikturuan peizazhin vendas. Megjithatë, Shën Morici u bë një qendër arti vetëm në vitet ’60 të shekullit XX, falë Bischofbergerit i cili hapi galerinë e parë aty në vitin 1963.
“Mendoj se ai vinte shpesh te ne në Shën Moric sepse ndjehej i vlerësuar dhe rehat”, thotë Cora, vajza e Bischofbergerit. “E dini, babait tim i pëlqente shumë ajo që bënte – ai e kuptonte për çfarë luftonte Basquiati. Shumë njerëz mendonin se ai ishte i çuditshëm, i mbivlerësuar ose i ekzagjeruar. Dhe, ishte e lehtë të gjeje drogë aty … ai ishte gjithmonë i droguar. Por, e dini, unë isha fëmijë. Nuk isha e vetëdijshme për ato ndryshime ose nuk gjykoja për ato gjëra”.
Cora madje krijoi një pikturë me Basquiatin në Shën Moric, një akrilik në kanavacë të titulluar “Pakiderm 3” (1983). Kontributi i saj në këtë përzgjedhje të çuditshme kafshësh, kafkash dhe një kurore mbi një sfond të kaltër, ishin “disa lule dhe shkrimi i emrit ‘Cora’ pesë herë. Ndoshta sapo kisha mësuar të shkruaja emrin tim”.
“Teknika primitive fëmijërore e vajzës sime dhe stili ‘primitiv’ i zgjedhur në mënyrë të pavarur nga Basquiati përputheshin në mënyrë të përkryer”, shkruan Bischofberger, megjithëse Cora nuk është shumë e sigurt. “Të gjithë thonë se ai pikturonte pak si një fëmijë, por nga këndvështrimi i një fëmije nuk mendoja aspak ashtu. Edhe koncepti i tij i paqartë i tri dimensioneve ishte shumë më i avancuar nga ajo që mund të bëja unë”.
Në ekspozitë janë gjithashtu disa vizatime që Basquiati krijoi me Coran në librin e mysafirëve të “Çesa Lodisa”, me ngjyra pastel të kaltër, të kuqe dhe të zezë. Këto përfshijnë një mal të mbuluar me borë, liqenin e famshëm të Shën Moricit dhe një dordolec bore të ndarë nga koka.
Bischofbergeri ishte aq i entuziazmuar nga këto bashkëpunime lozonjare, të cilat i krahasonte me teknikat e surrealistëve (cadavre exquis), saqë në vitin 1984 porositi një seri të famshme prej 15 pikturash bashkëpunuese nga Basquiati, Andy Warholi dhe Francesco Clemente. (Basquiati dhe Warholi do të vazhdonin të krijonin së bashku më vonë: në rreth 160 piktura në vitet 1984-‘85.)
Bischofbergeri, tregon Cora, kishte një gëzim të madh kur kishte marrë Basquiatin në kantonin e tij të lindjes, Apencel, një vend kaq i ngulitur në traditë saqë gratë nuk kishin të drejtë vote në çështjet lokale deri në vitin 1990. “Është një komunitet bujqësor shumë, shumë i vjetër”, thotë ajo. “Ka konkurse bukurie për lopët dhe njerëzit këndojnë – babait tim i pëlqenin ato festivale popullore. Mendoj se ai e mori Jean-Michelin me vete për të vlerësuar gjërat nga një kulturë tjetër, por edhe sepse ishte një vend ku askush nuk do ta njihte ose gjykonte si artist”.
Megjithatë, nuk ishte gjithmonë e lehtë ta kishe Basquiatin si mysafir. Ai ishte i njohur për faktin se e shihte çdo sipërfaqe si një mundësi për të krijuar art (përfshirë frigoriferët dhe dyert e makinave), dhe një herë tërhoqi një dyshek të përgatitur me porosi nga dhoma e tij, deri në garazh, në vend të kanavacës, gjë që nuk u mirëprit mirë nga nëna e Coras, Yoyo.
As kur Basquiati u mbyll në dhomën e tij në prag të Krishtlindjes – kur zviceranët festojnë – nuk kaloi lehtë. Kur korrieri që transportonte pikturat që ai kishte planifikuar t’i dhuronte secilit prej anëtarëve të familjes Bischofberger nuk mbërriti në kohë, ai u mërzit shumë. “Ai ishte aq i dëshpëruar”, thotë Cora, “dhe nëna ime pati një acarim të plotë: ‘Për hir të Zotit! Kam katër fëmijë të vegjël! Duhet të merrem me gjithçka tjetër dhe kjo është gjëja e fundit që më duhet’”!
“Sigurisht, si përdorues droge, të gjitha shqisat të përforcohen dhe përjeton luhatje të forta emocionale. Ai ishte një person shumë i kujdesshëm dhe besoj se ndihej i turpëruar. Ai doli dhe i tha nënës sime, ‘Më lerë të qetë, Yoyo’. Kjo u bë shaka familjare. Kur nëna ime e humb kontrollin, babai im ende i thotë, ‘Më lerë të qetë, Yoyo’”. /Telegrafi/