Telegrafi

Vitamina C mbron nga sulmi në tru

Me sasinë e vitaminës C në trup mund të parashikohet mundësia e sulmit në tru, merret vesh nga një hulumtim i gjerë i kryer me rreth 20.000 persona të moshës së mesme dhe të vjetër, të kryer në Norfolk të Britanisë së Madhe.

Gjatë përcjelljes pothuajse dhjetëvjeçare të popullatës së përmendur, është vërtetuar se personat me përqendrimin më të madh të vitaminës C, kanë 42 për qind më pak gjasa të përjetojnë sulm në tru.

Efektet mbrojtëse të vitaminës C kundër sulmit në tru kanë mbetur edhe pasi janë marrë parasysh faktorët vijues: mosha, gjinia, pirja e duhanit, alkooli, indeksi i masës trupore, shtypja, kolesteroli, aktiviteti fizik, diabeti, sulmet e mëhershme në zemër, marrja e ilaçeve dhe statusi shoqëror.

Doktori Phyo Myint nga universiteti Cambridge sqaron se, niveli i vitaminës C në gjak është “tregues i mirë biologjik për konsumimin e pemëve dhe perimeve, të cilat kanë përmbajtje që mbrojnë nga sulmi në tru".

Njerëzit brenda ditës do të duhej të merrnin pesë deri në nëntë shujta të pemëve dhe perimeve.