Telegrafi

Vita: Industria kosovare e qumështit po sulmohet nga Serbia

Sulmet që po i bëhen industrisë së qumështit të Kosovës janë të porositura nga Serbia, sepse rritja ekonomike në Kosovë nuk shkon vetëm në dëm politik të Serbisë, por nënkupton edhe humbjen e një tregu mjaft fitimprurës dhe domethënës për atë shtet.

Kështu u tha sot nga Qumështorja Vita nga Istogu në një konferencë për media, ku drejtori i përgjithshëm Xhelal Radoniqi tha se nuk kanë dashur deri tani të komentojnë akuzat drejtuar kompanisë së tij, për shkak se kanë pritur dokumentet zyrtare nga Dogana dhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e Kosovës, AVUK, e të cilat vërtetojnë se këto akuza nuk qëndrojnë.

Në takimin me media të mbajtur në Istog, Radoniqi përsëriti se as nuk përdorin, dhe asnjëherë nuk kanë përdorur qumësht pluhur.

Ai tha se qumështi në Kosovë prodhohet dhe përpunohet sipas standardeve evropiane.

Të pranishëm në takim ishin edhe fermerë te ndryshëm, të cilët brengën më të madhe kryesisht e kishin konkurrencën nga produktet që importohen në Kosovë, produkte këto që, sipas tyre, mes tjerash edhe nuk janë të sigurta. /Telegrafi/