Telegrafi

Vit me më shumë të drejta të punëtorëve

Kështu mendojnë si ekspertë ashtu edhe sindikalistë. Por, me miratimin e Ligjit të punës, punëtorët dhe përfaqësuesit e tyre, duan të besojnë se viti 2011, vërtet do të jetë ndryshe. Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Haxhi Arifi shprehet i sigurt se ligji do të respektohet.

“Tash e kemi ligjin, i cili është shumë në nivel, janë dënimet për mosimplementim nga 100 euro deri në 10 mijë euro dhe besoj se do t’ia dalim të përmirësojmë gjendjen, të përcjellim shkeljet që bëhen, por, njëkohësisht, të japim rezultate të mira te Qeveria që të implementohet ligji”, ka thënë Arifi për Radio Kosovën.

Edhe shefi i Konfederatës së Sindikatave të Lira, Ali Dragusha pret që në vitin 2011 të drejtat e punëtorëve të avancohen.

“Disa çështje janë të përcaktuara shumë mirë, por sa do të realizohen në praktikë mbetet të shihet”, thotë Dragusha.

Përveç sektorit publik, obligim për të zbatuar Ligjin e punës ka edhe sektori privat. Përfaqësuesi i punëdhënësve nga Oda Ekonomike e Kosovës, Berat Rukiqi, vlerëson se sektori privat mund të ballafaqohet me vështirësi.

“Nëse jo në vitet e mëvonshme, në vitet e para të implementimit, sigurisht do të ketë probleme, pasi kemi një rast kur në mënyrë direkte ka implikime në kostot e punëdhënësve në raport me obligimet që kanë ndaj punëtorëve. Në këtë rast mendoj në pushimin e lehonisë, rritjen e ditëve të pushimit etj”, thotë Rukiqi.

Ligji i punës rregullon të drejtat dhe obligimet e të punësuarve dhe punëdhënësve, sistemimin në vendin e punës, orarin e punës, pushimet dhe mungesat në punë, mbrojtjen dhe sigurinë në punë, pagat dhe benificionet e të punësuarve, ndërprerjen e marrëdhënies së punës etj.

Me kornizën afatmesme të shpenzimeve 2011-2013 për zbatimin e Ligjit të punës janë paraparë dy milionë euro për çdo vit fiskal. /Telegrafi/