Gjigandi metalurgjik shumëvjeçar “Trepça” bart me vete trashëgimi të pasur kulturore dhe histori të shumta të familjeve shqiptare. Para disa dekadave “Trepça” ishte pasuri nga e cila përfitonte jo vetëm vendi ynë, por dhe ato të rajonit e të Evropës.
Përderisa sot ky gjigand metalurgjik përballet me probleme të pagave ndaj punëtorëve, shoqërisë e sidomos gjeneratave të reja u duhet një “rikthim në kohë” për të parë se cili ishte ndikimi i tij dikur.
E një aktivitet si ky u zhvillua dje në Mitrovicë nga grupi “Visit Trepça”, i cili funksionon në kuadër të organizatës kulturore “7 arte” që vepron prej 18 vitesh, shkruan Telegrafi.
“Visit Trepça” është një grup që promovon trashëgiminë kulturore dhe industriale të Trepçës. Ky grup, të premtën mori një iniciativë për të organizuar një tur të përbërë prej afro 15 personash për t’i vizituar dhe rikujtuar vendet kyçe në të cilat Trepça dikur punonte. E që fatkeqësisht sot disa prej tyre janë jashtë funksionit.
Fillimisht turi filloi me një vizitë tek Muzeu i Mitrovicës, në të cilin u shpjeguan eksponatet dhe rëndësia e tyre. Aty u theksua se ky muze gjatë këtij muaji ka mbushur 72-vjetorin e tij dhe se është muzeu i dytë më i vjetër në vend pas muzeut të Kosovë.
Pastaj turi vazhdoi me vizitën tek parku industrial “Trepça”, apo ndryshe si njihet për qytetarët vendas si “Fafosi”. Në këtë pjesë u tregua se dikur ky vend kishte në funksion shumë fabrika, e ku më e madhja ishte ajo e baterive.
Por, pas përfundimit të luftës “Fafosi” më nuk ofronte mundësi të njëjta dhe se tani ishte “i pamunduar” rikthimi i “magjisë” së tij. Kjo për shkak se duhej të bëheshin shumë investime.
Më pas, qytetarët që ishin pjesë e turit kishin rastin të shihnin muzeun e kristaleve dhe mineraleve në Trepçë. Ky muze ishte i pasur me shumë kristale e minerale, derisa u bë e ditur se ka shumë vizitorë.
Tutje u vizitua edhe “Lagjia angleze” që ndodhet afër minierës së Trepçës, e cila u ndërtua nga anglezët pasiqë të njëjtit kishin investuar edhe në minierë. Kjo lagje dikur përbëhej nga stacioni policor, ndërtesa kolektive të banimit, pishina, kinema e të tjerë. Pas përfundimit të luftës së fundit në Kosovë, kjo lagje u popullua nga shqiptarët të cilëve i’u kishin djegur shtëpitë dhe nuk kishin vendbanim tjetër. E tashmë me kalimin e kohës kjo lagje është tërësisht e pabanuar.
Më tej, u vizitua edhe Kisha Sase në Sran Tërg, e cila po ashtu ishte ndërtuar nga anglezët dhe shërbënte për kryerjen e riteve fetare të besimtarëve katolikë.
Ky tur u përmbyll me vizitën në “Kodrën e Minatorëve” që gjendet në pjesën veriore të qytetit. Kjo përmendore filloi të ndërtohej në vitin 1959 dhe ka përfunduar në vitin 1973.
“Kodra e Minatorëve”, njëherit është edhe monumenti “simbol” i Mitrovicës, i cili u ndërtua për nder të minatorëve të rënë gjatë Luftës së Dytë Botërore. /Telegrafi/