Hatayspor luajti baras me rezultat 1-1 në shtëpi ndaj Galatasaray në kuadër të javës së 20-të në elitën e futbollit turk.
Ndonëse të renditur në pozitën e parafundit në tabelë, Hatasypor doli të jetë një ‘arrë e fortë’ për kampionin në fuqi të Turqisë, duke ia pamundësuar atyre të marrin pikët e plota.
Padyshim një ndër më meritorët për këtë pikë të fituar ishte edhe portieri kosovar Visar Bekaj.
Bekaj u paraqit në këtë takim nga minuta e parë dhe për 90 minuta ai bëri katër pritje, ku në fund u vlerësua me notën 7.2 nga Sofascore.
Vlen të theksohet se të gjitha këto goditje që erdhën në drejtim të portierit kosovar ishin bërë brenda zonës së rrezikshme.
27-vjeçari u mposht vetëm nga një penallti e cila u realizua nga sulmuesi nigerian Victor Osimhen, të cilit iu mohua goli në disa raste të tjera.
Për Bekajn kjo ishte paraqitja e tij e pestë për Hatayspor këtë sezon në kampionat, teksa ndeshje të mirë ai kishte zhvilluar edhe ndaj Besiktasit./Telegrafi/