Telegrafi

Virusi që i sulmon qelizat kanceroze

Virusi në fjalë i sulmon vetëm tumoret, ndërsa krahas kësaj nuk i dëmton indet e shëndosha.

Testimet janë realizuar në 23 pacientë, ndërsa shkencëtarët besojnë që në të ardhmen do ta shndërrojnë këtë në nj formë terapie. Ndërkohë që ekspertët për sëmundjet kanceroze kanë deklaruar se ky virus është premtues për mjekimin e kësaj sëmundjeje vdekjeprurëse.

Shfrytëzimi i virusit, i cili i sulmon qelizat kanceroze nuk është koncept i ri, mirëpo më herët është dashur që viruset me aftësi të tilla të injektohen direkt në tumor, në mënyrë që të shmangin sistemin imunitar.

Ndërsa me modifikimin e vaksinës së tillë virale, virusi i njohur si JX-594 është injektuar në gjakun e pacientëve pjesëmarrës që vuanin nga kanceri, në doza të ndryshme. Kështu është vërejtur se ky virus replikohet (shumohet) vetëm në qelizat tumorale dhe jo në ato të shëndosha.

Përhapja e virusit e ka penguar rritjen e tumorit, mirëpo nuk e ka shëruar atë.

Duke qenë se dozat testuese kanë qenë të vogla, shkencëtarët mendojnë se virusi mund të shfrytëzohet për trajtimin e qelizave kancerogjene në përqendrime më të mëdha. /Telegrafi/