Site icon Telegrafi

Virusi “Ebola”, gjeneza dhe përhapja e tij

Sëmundja për herë të parë është lajmëruar në vitin 1976 në provincën ekuatoriale të Zaires, 350 km larg nga Sudani.

Sëmundja karakterizohej me shpërthim të vrullshëm dhe rrjedhë fatale për shkak të infeksionit brenda spitalor të një numri të pacientëve me anë të shiringave të kontaminuara me virus (e njëjta shiringë është përdorur te disa pacientë).

Sëmundja është e pranishme në shtetet e Afrikës Perëndimore dhe Qendrore: Zaire, Sudan, Gabon, Republikën Demokratike të Kongos, Sierra Leone, Guinea, Liberia, Nigeria etj.

Ndërsa, shkaktari i sëmundjes është gjetur të jetë i pranishëm në: minjtë, lakuriqët e pemës dhe majmunët.

Njeriu infektohet me virusin Ebola në rast të kontaktit të afërt me gjakun, sekretet, organet dhe lëngjet tjera trupore të kafshëve të infektuara.

Në Afrikë, infeksioni shkaktohet si pasojë e manipulimit të shimpanza, gorilla, lakuriqë, antilopë dhe kafshë tjera të infektuara, transmeton Telegrafi.

Personi i cili infektohet me virusin Ebola gjatë kontaktit me kafshë bëhet infeksioz për personat e tjerë sidomos gjatë periudhës së gjakderdhjes.

Infeksioni bartet përmes kontaktit të afërt me gjakun, sekretet, organet dhe lëngjet tjera trupore të kafshëve të infektuara (nga kafshët në njeri).

Infeksioni nga njeriu në njeri bartet përmes: gjakut, lëngjeve trupore dhe ekskreteve (fecesit, urinës, pështymës, spermës të personit të infektuar.

Infeksioni mund të bartet edhe kur personi i shëndoshë, por me lëkurë të dëmtuar të duarve vjen në kontakt me ambientin e kontaminuar me lëngjet trupore të pacientit.

Nuk dihet me saktësi se sëmundja a len imunitet dhe sa zgjatë pas kalimit të saj.

Sëmundja më së shpeshti paraqitet gjatë muajve të verës. Mundësia e prekjes nga Ebola mund t’i prekë të gjithë pavarësisht moshën, gjininë, racën, profesionin, përkatësinë kombëtare etj.

Më të rrezikuarit nga prekja me Ebola janë: Gjuetarët të cilët mund të vijnë në kontakt me kafshët e infektuara të ngordhura, anëtarët e familjes së personave të infektuar, punëtorët shëndetësor, personat që kryejnë ritet fetare dhe të varrimit të pacientëve të vdekur nga Ebola.

Ndërsa, masat parandaluese dhe kontrolluese konsistojnë në: zvogëlimin e kontaktit me kafshët e infektuara (gjalla apo ngordhura), ikjes së kontaktit të drejtpërdrejt me personat e infektuar, Izolimi i të sëmurëve dhe të dyshimtëve në sëmundje, përdorimi i rrobave mbrojtëse gjatë kontaktit me të sëmurin (maskat, kapelat, dorëzat, mantilat, syzat), përdorimi i gjilpërave vetëm për një përdorim,hulumtimi dhe mbikëqyrja e vazhdueshme e personave të kontaktit, dezinfektimi permanent i sipërfaqeve që janë në kontakt me të sëmurin, abstenimi seksual, personat që kryejnë ritet fetare dhe të varrimit të pacientëve të vdekur nga Ebola duhet të kenë rroba mbrojtëse. /Telegrafi/
 

Exit mobile version