Jani Depo, me origjinë nga Sinica e Devollit, por që prej 20 vjetësh jetonte në Çikago, ishte një nga viktimat e fundit të virusit të rrezikshëm që ka pushtuar botën.
I shtruar prej 12 ditësh në spital, nuk mundi ta përballojë sëmundjen 86 vjeçari, Jani Depo. Kishte pasur edhe probleme të tjera shëndetësore si në zemër e mushkëri, të cilat ia rënduan gjendjen.
Ndarja e tij nga jeta, pikëlloi jo vetëm familjen por edhe plot miq e shokë. Trishtoi gjithë sinicarët në Shqipëri e nëpër botë, të cilët i shprehën ngushëllimet familjes. Trishtim të veçantë ndien ish nxënësit e tij të shumtë, të cilëve ai u kishte dhënë mësim, pasi mësuesi është prindër i dytë për nxënësin, shkruan illyriapress.
Jani ishte fëmija i parë në familje. Babai i tij, Llambi, i la jetim kur Jani ishte 16 vjet dhe iu desh të mbajë peshën e gjithë familjes. Pasi studioi për mësuesi Tiranë, filloi rrugën e gjatë e tij si mësues e cila vazhdoi 37 vjet. Ajo zë fill në fshatrat Dunicë dhe Slabinjë të Pogradecit. Më pas në Bradvicë, duke vazhduar në Menkulas e Miras të rrethit të Devollit, ku në këto dy shkolla ka qenë drejtor. Rruga e mësuesisë mbyllet në vendlindje, në Sinicë, ku dha mësim 19 vjet, deri sa doli në pension në vitin 1989. Në Sinicë ka dhënë mësim edhe bashkëshortja e tij, Arthimija.
Të dy e lidhën jetën me arsimin. Janë me qindra nxënësit që mësues Jani i ka dhënë mësim. Ata e kujtojnë për përkushtimin e tij, për dashurinë që kishte për ta, për dijet që u dha. I janë mirënjohës mësuesit të tyre, pasi dija është “pasaportë” në rrugën e jetës. Në atë “pasaportë” diturie, krahas mësuesve të tjerë, është edhe emri i mësues Janit.
Në vitin 2000, ai vjen në Çikago bashkë me familjen. Në këtë qytet kishte plot familje me origjinë nga Sinica e Qyteza, pasi ka qenë qendra kryesore e emigracionit të këtyre dy fshatrave të Devollit.
Vajza e tij Edlira, tregon se ai lexonte, shkruante dhe bënte reçenca për librat e shokëve, mbesave e nipit të shkruanin e të lexonin gjuhën e bukur shqipe, i mësonte këngë e valle shqiptare.
Bashkëfshatari i tij në Çikago, Perikli Sulari, tregon se për disa vjet me radhë Jani ishte në kryesinë e Shoqatës Sinicare “Përparimi”, e cila si mision kryesor ka pasur dhe ka ndihmën për vendlindjen.
Në këto kohë virusi, kur njerëzit janë të ngujuar, nuk do t’i jepet dot lamtumira e fundit, ashtu siç e ka zakoni shqiptar.