Një tjetër film shqiptar do të japë premierën e tij në një festival të përmasave evropiane.
Bëhet fjalë për filmin e metrazhit të gjatë “Virgjëresha Shqiptare”, që do të shfaqet në edicionin e 37-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Varshavë, në Kategorinë Zyrtare e Konkurrencës Ndërkombëtare.
Lajmi është bërë i ditur nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë.
“Filmi ‘Virgjëresha shqiptare’ i regjisorit Bujar Alimani çel Festivalin Ndërkombëtar të Filmit të Varshavës 2021, duke konkurruar për çmimin ‘Filmi më i mirë’. Ky film është një prodhim i Elsani & Neary Media GmbH / Germany Potemkino Port / Belgium, 90 Production / Albania, Circle Production / Kosovo. Qendra Kombëtare E Kinematografisë e ka financuar këtë film në kategorinë Bashkëprodhime në Minorancë. Filmi gjithashtu është financuar nga: ZDF ARTE Qendra Kombëtare e Kinematografisë Kosovë Eurimages Europe Creative”, thuhet në njoftimin e QKK-së.
E lumtur për këtë sukses u shpreh edhe aktorja Rina Krasniqi, e cila në këtë film luan rolin kryesor.
“Nuk mund ta shpreh sa krenarë jemi që më në fund e ndajmë këtë projekt të përzemërt me botën. Kaq shumë njerëz punëtorë për të falënderuar!”, ka shkruar Krasniqi në Facebook. /Telegrafi/