Ndërmarrja e turizmit hapësinor Virgin Galactic thotë se 100 njerëz blenë biletat më të shtrenjta për të fluturuar në fluturaken hapësinore suborbitale të kompanisë pasi ajo rihapi shitjet e biletave këtë gusht.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, kjo do të thotë se kompania ka afërsisht 700 mbajtës të biletave tani për udhëtime të shpejta turistike në hapësirë, rreth 300 më pak se 1000 biletat që Virgin Galactic shpreson të shesë përpara fillimit të fluturimeve komerciale të automjeteve të saj.
Kompania njoftoi lajmin gjatë publikimit të fitimeve të tremujorit të tretë të hënën.
Megjithëse Virgin Galactic ka ende më shumë bileta që synon të shesë, kompania thotë se shitjet shtesë nga ky tremujor ishin më të mira se sa pritej.
“Ne po shesim bileta përpara ritmit që kemi planifikuar”, tha Michael Colglazier, CEO i Virgin Galactic, gjatë një prezantimi mbi të ardhurat e kompanisë për tremujorin e tretë.
“Strategjia e çmimeve që shpallëm tremujorin e kaluar është pritur mirë”.
Biletat iu ofruan një grupi individësh të cilët do të vendosnin një depozitë të rimbursueshme prej 1000 dollarësh, duke treguar interesin e tyre për të fluturuar me Virgin Galactic.
Në fillim të vitit të ardhshëm, kompania do të hapë shitjet e biletave më gjerësisht për njerëzit që kërkuan informacione rreth fluturimit. /Telegrafi/