Këngëtarja Violeta Kajtazi është shumë e pëlqyer nga publiku për këngët e saj dhe vazhdon të jetë mjaft e angazhuar me koncerte dhe mbrëmje të ndryshme muzikore.
Por, gjatë ditës së sotme (e martë) ka qarkulluar lajmi se këngëtarja ka filluar punë në Ministrinë e Punëve të Brendshme, ndërsa i gjithë dyshimi erdhi nga një fotografi e këngëtares e publikuar në Facebook, ku shfaqej në një nga zyrat e MPB-së.
U përfol edhe për një tërheqje të mundshme të saj nga muzika, por që ky lajm del të jetë absolutisht i pavërtetë.
E kontaktuar nga Telegrafi, këngëtarja Kajtazi pohoi se ka filluar praktikë në Ministrinë e Punëve të Brendshme, por kjo nuk do të thotë që është punësuar ose tërhequr nga muzika.
“Është e vërtetë që unë sot u gjenda në Ministrinë e Punëve të Brendshme, ku fillova praktikën për leje qëndrimi nga të huajt në Divizionin për të huaj – shtetësi, azil dhe migracion, por nuk jam e punësuar dhe nuk kam ndër mend ta lë muzikën”, tha ajo për Telegrafin.
Më tej, Violeta shtoi se i ka pëlqyer shumë ambienti i punës në MPB dhe se edhe nëse punësohet në këtë vend pune në të ardhmen, nuk do të tërhiqet nga muzika.
“Sot në fakt kam pasur një ditë shumë atraktive në praktikë, jam kënaqur shumë por vazhdoj ta dua muzikën, dhashtë Zoti edhe po u punësova do të vazhdoj të merrem me këndim”, përfundoi ajo për Telegrafin.
Përndryshe, Violeta muaj më parë është bërë magjistre për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Diplomaci, studime të cilat i përfundoi në kolegjin “Fama”. /Telegrafi/