Raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola von Cramon, ka thënë se Prishtina dhe Beogradi duhet ta konsiderojnë seriozisht ofertën e Parisit dhe Berlinit.
Kjo pasi sipas saj, siç shkruajnë mediat serbe, përcjell Telegrafi, “është e mundur që tjetra të mos jetë më e mirë se e fundit”.
Për gazetën Nova, ajo vlerësoi se Beogradi dhe Prishtina duhet të gjejnë “një kompromis të qëndrueshëm dhe ‘të gëlltisin disa pilula të hidhura’ në rrugën e përparimit”.
“Ne e mbështesim plotësisht dhe në mënyrë të palëkundur punën e Miroslav Lajçakut dhe besoj se qëllimi mund të jetë real”, tha Von Kramon, në përgjigje të deklaratës së gazetës se i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Lajçak pret që marrëveshja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës të arrihet deri në fund të vitit 2024.
Ajo vlerësoi se Serbia sot është “më së largu që nga viti 2000” nga Bashkimi Evropian.
“Unë nuk jam e sigurt se njerëzit në Serbi e dinë se reputacioni i Serbisë është më i keqi që nga viti 1999”, ka thënë më tej Von Kramon. /Telegrafi/